Alivanosja, dhimbjet muskulare, kokëdhimbja, marramendja, diarrea e të vjellurat janë disa nga simptomat që mund të shkaktoi ekspozimi në temperatura të larta.
E me ngritjen e temperaturave në vendin tonë, është rritur edhe kërkesa e pacientëve për të marrë shërbime mjekësore në institucionet shëndetësore.
Kryeshefi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Valdet Hashani thotë se fluksi i pacientëve që kanë kërkuar trajtim ditëve të fundit për shkak të ndryshimit të motit, është rritur për 20 për qind. Ai tregon se të moshuarit, pacientët me sëmundje kronike dhe fëmijët janë rastet më të shpeshta që kërkojnë trajtim mjekësore si pasojë e të nxehtit.
“Me rritjen e temperaturave të cilat kanë qenë enorme në krahasim me një javë më herët. Nga 23-25 gradë sa kanë qenë normalisht u rritën temperaturat në 38 deri në 40 gradë celsius…Me ngritjen e këtyre temperaturave patëm edhe një fluks të pacientëve dhe mund të themi që mbi 20 për qind të pacientëve është rritur numri i tyre. Jo vetëm në QKMF por në të gjitha njësitë që i kemi në kuadër të QKMF-së, qofshin ato të Mjekësisë Familjare apo edhe ambulanta në fshat. Zakonisht më të shpeshtë kanë qenë pacientë më të moshuar, që kanë sëmundje kronike, qofshin ato kardiovaskulare, të shëndetit mendor ose edhe pacientë të cilët marrin barna, substanca apo barna të ndryshe. Edhe numri i pacientëve të cilët janë fëmijë ose vegjël është rritur numri i tyre, sidomos edhe i gastroenteriteve për shkak të infeksioneve të mundshme, për shkak të rënies së imunitetit”, thotë Hashani.
Derisa tregon simptomat me të ciklat mund të përballen pacientët si shkak i ekspozimit të gjatë në diell, Hashani thotë se kur temperaturat janë të larta duhen shmangur ushqimet e shpejta, pijet energjike dhe ato të gazuara. Ai potencoi se përveç ujit, për të shmangur rrezikun nga infeksionet bakteriale apo virale, pacientët duhen konsumuar më shumë pemë, perime dhe sallata.
“Fillimisht, pacientët ndjejnë dhimbje muskulare, kokëdhimbje. Mund të kenë edhe marramendje, të vjella e kështu me radhë. Por, nëse simptomat manifestohen me ndonjë infeksion qoftë viral ose bakterial, atëherë manifestohen edhe me vjellje, por edhe me barkqitje, që pastaj e komplikojnë gjendjen edhe më shumë…Ushqimet të cilat duhet të merren gjatë kësaj periudhe kohore është mirë që tu iket ushqimeve të cilat janë të ngrohta, të cilat kanë shumë kalori. Të merren sasi të mëdha të pemëve dhe perimeve, sallatave. Por, gjithmonë të kombinuara me lëngje. Por, jo lëngje të cilat janë për shembull pije energjike, që kanë sasi të mëdha të sheqerit, pije alkoolike…Duhet të konsumojnë ujë të pastër…Në rast se kanë nevojë për rehidrim mos të kërkohet menjëherë që të merren në formë të infuzioneve. Meqë ka preparate që janë edhe të lira edhe të mira, që janë nelit ose Ors i quan populli, ato janë për rehidrimin e organizmit”, potencon Hashani.
Ndër të tjera kryeshefi i QKMF-së në Prishtinë, Valdet Hashani tregon se si pasojë e temperaturave të larta, organizmi i njeriut dehidrohet, duke ndikuar në zvogëlimin e imunitetin, trashjen e gjakut dhe pompimin më të shpeshtë të zemrës.
“Meqë organizmi i njeriut kur është i dehidruar edhe imuniteti zvogëlohet, në këtë arsye qëllimi i organizmit përpos shumë funksioneve që i ka e ka edhe termorregullacionin dhe e rregullon temperaturën trupore në atë të ambientit. Nëse temperatura e trupit është 36 gradë, ndërsa jashtë ka qenë më e madhe, çfarë lufte apo mekanizmi i nevojitet për ta luftuar ose balancuar këtë temperaturë me atë të jashtme. Për shkak të kësaj organizmi shton nevojën për marrjen e lëngjeve, meqë bëhet dehidrimi ose nëpërmjet djersitjes, por edhe mushkërive lirohet një sasi e madhe e lëngjeve. Organizmi mbetet pa lëngje, zemra ose sistemi kardiovaskular, gjaku fillon të trashet të jetë më viskoz. Zemra pompon më shumë”, tregon Hashani.
Përveç këtyre, Hashani thekson se gjatë verës, duhen veshur rroba me ngjyra më të hapura, për të reflektuar rrezet e diellit si dhe rekomandon që pacientët të bartin ombrella.
Gjatë këtyre ditëve, Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) dhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) kanë dhënë rekomandime për qytetarët. Ata këshillojnë që në intervalin kohor nga ora 10:00 deri në 16:00 të mos ekspozohen në rreze të drejtpërdrejta të diellit dhe të marrin masa mbrojtëse për të parandaluar ndikimin e nxehtësisë.