Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se nga ky muaj do të rriten shtesat për lehonat në 500 euro në muaj.
Ai e ka quajtur vendimin “superlajm” gjatë mbledhjes së Qeverisë, duke theksuar se rritja nuk do të presë hyrjen në fuqi të pagës minimale të paralajmëruar për muajin korrik, e cila po ashtu pritet të jetë 500 euro.
Sipas tij, vendimi hyn në fuqi menjëherë, duke rritur mbështetjen për lehonat në nivelin e pagës minimale.
Deri më tani, lehonat e papunësuara kanë përfituar 325.9 euro për gjashtë muaj, ndërsa lehonat e punësuara kanë marrë mbështetje të ngjashme për tre muaj, në përputhje me Ligjin e Punës.
