Në Kosovë është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve me fruth, ku nga data 16 prill deri më 24 gusht 2026 janë regjistruar gjithsej 147 persona të prekur. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK), vetëm gjatë javës së fundit janë konfirmuar 10 raste të reja, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve është dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Sipas shpërndarjes gjeografike, vatra më e madhe e infeksionit mbetet komuna e Prishtinës me 49 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 35 raste dhe Ferizaj me 13 raste. Të prekura janë edhe komunat e Obiliqit (9 raste), Lipjanit (8), Kaçanikut (7), si dhe Vushtrria e Shtimja nga katër raste. Raste të izoluara janë raportuar gjithashtu në Skenderaj, Drenas, Gjilan, Gjakovë, Shtërpce, Deçan, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.
Për përballimin e kësaj situate, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar punën në terren gjatë tri javëve të fundit, me fokus në komunat më të prekura. Si rezultat i këtij aksioni, janë vaksinuar me doza MMR gjithsej 504 fëmijë që kishin vonesa në marrjen e vaksinës sipas kalendarit të rregullt.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj simptomave të para si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, dhe të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.
Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e rënda, autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje prindërve dhe kujdestarëve të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre. IKShPK rikujton se vaksinimi pranë Qendrave të Mjekësisë Familjare mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. /E.A/
