Basketbollisti kosovar Rrezon Elezaj ishte i pranishëm në Pejë për të ndjekur nga afër ndeshjen e Kombëtares së Kosovës ndaj Gjeorgjisë, në kuadër të FIBA U18 Women’s EuroBasket 2026, Divizioni C, ku vajzat e Kosovës e nisën kampionatin me fitore.
Gjatë vizitës së tij, Elezaj u takua me Sekretaren e Përgjithshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, si dhe me zëvendëssekretarin e përgjithshëm dhe drejtorin e përfaqësueseve, Adriatik Rraci.
Basketbollisti pejan ndoqi nga tribunat suksesin e Kosovës në ndeshjen hapëse, duke ofruar mbështetje për ekipin që po garon para tifozëve vendas në Kampionatin Evropian.
Me një gjatësi prej 218 centimetrash, Elezaj konsiderohet një nga talentet më premtuese të basketbollit në rajon. Ai është zhvilluar te klubi i njohur turk Beşiktaş, ndërsa në kategoritë e reja ka përfaqësuar Turqinë në gara të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Kampionatin Botëror U17 dhe Kampionatin Evropian U18.
Më pas, ai e vazhdoi karrierën në basketbollin universitar amerikan, duke qenë pjesë e UConn Huskies në NCAA.
Prania e Elezajt në Pejë u vlerësua si një mbështetje e rëndësishme për basketbollistet e reja të Kosovës, të cilat synojnë një paraqitje sa më të suksesshme në Kampionatin Evropian U18, Divizioni C.
D.L
