Fushata e Kombeve të Bashkuara për vaksinimin e fëmijëve kundër poliomielitit arriti rreth 87 mijë fëmijë në Gaza në ditën e saj të parë zyrtare, tha të hënën agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), duke cituar Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
“Sot, fushata e vaksinimit të poliomielitit në zonat e mesme të Gazës hyn në ditën e dytë”, shkroi UNRWA në X.
Sipas UNRWA-së, faza e dytë e fushatës do të fokusohet në Gazën jugore dhe ajo e fundit në veri. Fushata synon të imunizojë 640 mijë fëmijë deri më 12 shtator. Kjo është e barabartë me mbi 90% të fëmijëve nën moshën 10 vjeç.
Fushata lehtësohet nga një seri pauzash në luftime, për të cilat Izraeli ka rënë dakord.
Zëdhënësja e UNRWA-së, Louise Waterridge tha për CNN të dielën se është “kritike” që nuk do të ketë luftime gjatë fushatës.
“Përpjekjet janë në vazhdim për t’u siguruar fëmijëve këtë vaksinë kyçe, por ajo që u nevojitet më shumë është një armëpushim tani”, njoftoi UNRWA të hënën.
Fushata e OKB-së për vaksinim vjen në periudhën kur virusi shumë infektiv u gjet në mostrat e ujërave të zeza në muajin qershor./UBTNews/