UBT News

Rreth 70 persona kërkuan ndihmë në Klinikën Infektive pas dyshimeve për helmim nga ushqimi

Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka njoftuar se që nga 10 korriku ka pranuar pacientë me simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi.

Sipas njoftimit, pacientët janë paraqitur me ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diarre, simptoma që janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit.

Nga 10 deri më 13 korrik 2026, rreth 70 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive, ndërsa 22 prej tyre janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm.

“Të gjitha rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) dhe janë regjistruar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse. Pacientët janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe po marrin trajtimin e nevojshëm, në përputhje me gjendjen e tyre klinike”, thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive.

Rasti vjen pas raportimeve për dyshime se disa persona janë helmuar pasi kanë konsumuar sandviçë në një nga pikat e rrjetit “Sach Pizza” në Prishtinë.

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka pranuar informacionet për helmimin e disa personave dhe se prokurori i shtetit ka nisur veprimet e nevojshme hetimore.

Edhe Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe institucionet përkatëse, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit./A.K/

Exit mobile version