Kosova pritet t’i ketë 1.6 milion banorë. Kështu është bërë e ditur në konferencën përmbyllëse për media për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.
Ushtruesi i Detyrës së drejtorit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati përmbylljen e këtij projekti, e ka vlerësuar si një ditë të madhe për gjithë vendin, pasi sipas tij, ka vlerë të madhe në disa fusha. Ai derisa ka treguar se çdo gjë ka shkuar sipas planifikimeve, pa ndonjë problem, ka thënë se të dhënat e Kosovës do të jenë të krahasueshme në aspektin rajonal, por edhe në nivel global.
Ndërkaq, Kastrati ka bërë të ditur se gjatë kohës së realizimit të procesit, ka pasur një dezinformatë se nga komuniteti serb do të ketë regjistrim pas dy muajve, mirëpo ka thënë se kjo nuk është e vërtetë, dhe se regjistrimi i ardhshëm do të jetë në vitin 2031. Ai po ashtu ka thënë se të gjitha komunitetet kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë, përveç komunitetit serb që ka pasur disa hezitime.
“Kosova pritet t’i ketë përafërsisht rreth 1.6 milion banor. Pra të dhënat paraprake publikohen në pjesën e parë të muajit korrik… Ndërsa, në bazë të ligjit që është në fuqi ASK ka kohë t’i publikojë të dhënat preliminare në fund të muajit gusht, do të mundohemi të dhënat preliminare të jenë më herët, pra pritjet janë që të dhënat paraprake të publikohen në muajin korrik, pjesën e parë. Praktikat janë që të dhënat finale publikohen një vit pas datës së regjistrimit, apo deri në 15 muaj. Tani planifikojmë të publikojmë pas gjashtë muaj… Po ashtu ashtë një ditë e madhe për Kosovën, institucionet, por edhe statistikën vet, sepse një projekt i tillë madhor ka vlerë të madhe në disa fusha… Regjistrimi i popullsisë në Kosovë ka respektuar parimet, standardet dhe konceptet ndërkombëtare në plotni, që nënkupton se të dhënat e Kosovës të jenë të krahasueshme në aspektin rajonal, por edhe në nivel global… Janë kodifikuar rreth 650 mijë objekte, njëkohësisht është bërë ndarja për projekt në mbi 5 mijë zona regjistruese. Njëkohësisht janë bërë rreth 5 mijë harta digjitale, po ashtu edhe të printuara, si dhe janë përgatitur po aq aplikacione që është dashtë të instalohen në pajisje”, tha Kastrati.
Kastrati ka thënë se sa i përket numrit të personave direkt të përfshirë në këtë proces, ka tejkaluar 5 mijë, pa përfshirë këtu Policinë e Kosovës. Ai po ashtu ka thënë se kishte një dezinformatë nga komuniteti serb se do të ketë regjistrim pas dy muajve, mirëpo ka thënë se kjo nuk qëndron.
“Në përgjithësi numri i stafit direkt të përfshirë në këtë projekt, ka vajuar prej kohës, por maksimumi që ka arritur është mbi 5 mijë, pa përfshirë Policinë e Kosovës. Ndërsa tek regjistruesit është interesant, sepse për herë të parë pas regjistrimit të 2011, regjistruesit kanë qenë dominant femra, rreth 60 për qind e regjistrueseve në terren kanë qenë femra, raporti i njëjtë është pothuajse edhe me mbikëqyrësit. Mosha mesatare e regjistrueseve ka qenë më të rinj, pra rreth 29 vjet, ndërsa mbikëqyrësit pak më të moshuar… Ndërkaq ata që nuk janë regjistruar në gjitha komunitetet, kësaj here do të regjistrohen në vitin 2031. ASK nuk ka plane, sepse ka qenë një dezinformatë që kam marrë nga komuniteti serb, ndoshta nga Lista Serbe se do të ketë regjistrim pas dy muajve, kjo nuk është e vërtetë”, ka theksuar Kastrati.
Ndërsa Kastrati derisa ka përmendur shifra se sa janë kursyer nga ky proces, ka treguar se çfarë kanë menduar të bëjnë me ato para.
“Sistemi është treguar i suksesshëm, dhe çfarë e bënë më madhor këtë sistem, është se janë kursyer përafërsisht mbi gjysmë milion euro në ndërtimin e sistemit, stafi jonë i brendshëm, kanë kursyer një shumë të çmuar… njëkohësisht edhe pajisje është dashur të blihen po aq, kjo ka mundësuar të kursehen po ashtu edhe rreth një milion e gjysmë në pajisje dhe staf… Ne nuk kishim nevojë të kursejmë për një projekt të tillë, por i kishim kapacitetet dhe kemi diskutuar disa herë me koleg, nëse do ja dalin mirë, dhe kur e pamë që po ecim me kapacitetet tona, pse jo. Përndryshe, stafi i ASK jep mbështetje edhe jashtë Kosove në disa fusha, dhe nuk jam i sigurt, ku do t’i dërgojmë këto mjete, por neve na mungon një pjesë e mirë e stafit që kemi nevojë t’i rrisim kapacitetet humane, njerëz, edhe në pajisje por edhe në ambient më të mirë”, ka thënë ai.
ASK po ashtu ka falënderuar gjithë qytetarët për bashkëpunim me regjistruesit si dhe institucionet pjesëmarrëse, përfshirë edhe ato ndërkombëtare, si dhe komunat. Ndërsa, ka thënë se gjatë këtij procesi ka qenë dhe një task-forcë për ruajtjen dhe sigurimin e të dhënave nga sulmet kibernetike.
Regjistrimi i popullsisë është një proces i numërimit të gjithë banorëve dhe mbledhjes së informatave demografike, ekonomike, sociale, arsimore, bujqësore dhe informatave të tjera për secilin person. Në këtë proces përfshihet edhe një pyetësor, i cili iu mundëson qytetarëve të deklarohen mbi dëmet e shkaktuara nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Procesi i fundit i regjistrimit të popullsisë më 2011 dështoi të mbahej në katër komunat me shumicë serbe në veri, dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.