UBT News

Rrënohet shtëpia në rrugën “A” në Prishtinë, banorët kundërshtojnë aksionin e Komunës

Rrënimi i një shtëpie në rrugën “A” në Prishtinë ka nxitur pakënaqësi dhe reagime të ashpra nga banorët e lagjes, të cilët akuzojnë Komunën e Prishtinës për mungesë konsultimi dhe komunikimi para se të ndërmerrte këtë veprim. Banorët e zonës i kundërshtojnë vendosmërisht pretendimet e autoriteteve komunale se toka ku ishte ndërtuar objekti është pronë publiko-komunale.

Fadil Krasniqi, banor i lagjes, ka deklaruar se familjet janë vendosur në këtë zonë që nga viti 2000 dhe se toka është blerë me rrugë të rregullta nga pronarët e mëparshëm, ndonëse dokumentacioni nuk ishte përkthyer zyrtarisht në emër të tyre. Ai akuzoi drejtuesit e komunës se nuk u kanë dalë në takime dhe se me këtë ndërhyrje po dëmtojnë qytetarët që kanë investuar prej dekadash në ato shtëpi. Sipas tij, vendimi për rrënim nuk ka të bëjë me mbrojtjen e banorëve, por me presione nga interesa të caktuara, raporton Ekonomia Online.

Aksioni për rrënimin e objektit ishte paraparë të kryhej më herët gjatë javës, por fillimisht u bllokua nga vetë pronari i shtëpisë, Faruk Maxhuni, i cili refuzoi të largohej. Maxhuni dhe bashkëshortja e tij kishin ngritur shqetësimin se punimet e reja infrastrukturore po e dëmtonin dhe po e rrezikonin drejtpërdrejt stabilitetin e shtëpisë së tyre, duke kërkuar ndërhyrjen e Policisë dhe Inspektoratit komunal.

Në përgjigje të këtyre pakënaqësive, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka sqaruar se shtëpia në fjalë është ndërtuar pa leje përkatëse dhe ndodhet tërësisht në pronë komunale. Rama theksoi se vendimi për evakuimin e banorëve është marrë më shumë se dy vite më parë për shkak të rrezikut të lartë nga rrëshqitja e dheut si pasojë e punimeve në rrugën “A”.

Ai shtoi se kryeqyteti po vazhdon të mbulojë shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos rrezikojnë jetën e tyre duke hyrë në zona të rrezikshme ndërtimi, duke nëvizuar se prona publike është po aq e shenjtë sa ajo private dhe meriton mbrojtje ligjore. /Ekonomia online/

Exit mobile version