UBT News

REL: Kosova përballë një testi të mundshëm të sigurisë

Raportimet për një rishikim të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, duke përfshirë Kosovën, po shtohen.

Pentagoni nuk e konfirmon dhe as mohon ndonjë plan të mundshëm, duke lënë të hapur pyetjen për stabilitetin në KFOR.

Ekspertët theksojnë se roli amerikan në Kosovë shkon përtej aspektit ushtarak, duke përfshirë edhe një funksion të rëndësishëm politik dhe parandalues.

Në qershor të vitit 1999, ndërsa Kosova po dilte nga lufta dhe refugjatët po ktheheshin, NATO-ja vendosi misionin e saj paqeruajtës, KFOR, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe parandalimin e rikthimit të dhunës. Ai nuk ishte misioni i parë i aleancës ushtarake, por do të bëhej misioni i saj më jetëgjatë, operacioni më i madh aktiv dhe një nga ndërhyrjet më të suksesshme.

Forca shumëkombëshe numëronte fillimisht mbi 50.000 ushtarë, prej të cilëve rreth 7.000 amerikanë. Sfidat për ndërtimin e një të ardhmeje pas shkatërrimit të gjerë që la sulmi serb, ishin të jashtëzakonshme, sipas presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton.

Pesë muaj pas përfundimit të luftës, ai udhëtoi në Kosovë për të takuar trupat amerikane në kampin Bondsteel – bazën më të madhe ushtarake të SHBA-së në Ballkan dhe një nga simbolet më të fuqishme të pranisë së saj në rajon.

“E di se shumë nga detyrat tuaja janë ende të rrezikshme. E vlerësoj punën e palodhshme që keni bërë për të mbrojtur të gjithë njerëzit në Kosovë, përfshirë edhe serbët. Dhe, e vlerësoj ndërmjetësimin tuaj të vazhdueshëm mes njerëzve që kanë ende një rrugë të gjatë drejt pajtimit”, tha Clinton në nëntor të vitit 1999.

Më shumë se 26 vjet më vonë, siguria në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa prania e KFOR-it është zvogëluar në rreth 4.700 trupa. Megjithatë, reduktimi i forcave nuk do të thotë se stabiliteti është i garantuar.

Mungesa e pajtimit të plotë dhe refuzimi i vazhdueshëm i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës, e mbajnë hapur dimensionin e sigurisë. Në këtë kontekst, çdo sinjal për një rol më të vogël të Shteteve të Bashkuara në KFOR merr peshë të veçantë.

Ndryshimet në prioritetet globale të sigurisë kanë nxitur diskutime – jo gjithmonë zyrtare – për mundësinë e një reduktimi të angazhimit amerikan në KFOR, duke hapur pyetje edhe për të ardhmen e arkitekturës së sigurisë në Kosovë.

Në një përgjigje që mori Radio Evropa e Lirë prej Pentagonit më 19 shkurt u tha se nuk ka ndonjë njoftim për ndryshim të dislokimit të forcave. Por, po atë ditë, gazeta amerikane, Politico, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, raportoi se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga aleatët të shqyrtojnë reduktimin e angazhimeve të jashtme të aleancës, përfshirë edhe misionin në Kosovë.

Kjo nuk është hera e parë që ngrihen pikëpyetje për të ardhmen e trupave amerikane në Evropë.

Në shkurt të vitit të kaluar, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se kontinenti duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane, duke theksuar se vendimet do të varen nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike të Uashingtonit.

Po atëkohë, zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, e lidhi të ardhmen e trupave në Evropë me politikëbërjen në rajon, duke deklaruar se amerikanët nuk do të mbështesin mbajtjen e trupave në Gjermani, nëse qytetarët atje përballen me ndëshkime për postime fyese në rrjetet sociale.

Radio Evropa e Lirë pyeti NATO-n nëse vendet evropiane kanë kapacitet të mbushin boshllëkun që mund të krijohet nga një tërheqje ose reduktim i mundshëm i forcave amerikane në KFOR, të cilat aktualisht numërojnë rreth 590 ushtarë.

Në përgjigjen e marrë nga një zyrtar, nuk jepen detaje konkrete, por theksohet se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor në sigurimin e stabilitetit afatgjatë të Kosovës dhe të rajonit, përmes misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja”.

/REL/

 

Exit mobile version