UBT News

Rrëfimi i ngjyrave: Ekspozita e Shqipërim Fejzullahut në Galerinë e Arteve

Në një pasqyrë kronologjike të ngjarjeve artistike, Galeria e Arteve në Gjilan i hapi dyert një pasurie artistike me 88 vepra të shquara nga krijuesi Shqipërim Fejzullahu. Ekspozita, e quajtur “Dimensioni Artistik”, me kurator Muhamet Sadriun solli përpara publikut një diversitet temash, motive, teknikash dhe stilesh artistike.

Muhamet Sadriu, kuratori i ekspozitës, ndau me publikun përshtypjet e tij nga puna e Shqipërim Fejzullahut, duke theksuar llojllojshmërinë dhe përkushtimin e autorit në artin e tij. Ai e përshkroi autorin si një artist të rrallë, i cili jo vetëm se krijon vepra, por komunikon me to përmes ngjyrave, dritës, dhe hijes së tyre, duke lënë përshtypjen se çdo vizitor komunikon me artin e tij.

“Unë kam qenë edhe në atelienë e Shqipërimit në Preshevë dhe më ka bërë përshtypje vet titulli që e ka emëruar “Dimensioni artistik” kjo flet për llojllojshmërinë edhe përkushtimin në punën që e bën dhe dashurinë që e ka ndaj punës. Autori nuk ka punime për një ekspozitë, por ka për 30 ekspozita, ai është i veçantë për plotë gjëra, por një që e bën shumë të veçantë është edhe ajo që ju po e shihni, puna që e bën me një mjeshtëri të rrallë”, deklaroi Sadriu.

Kuratori nuk la pa theksuar se çdo punim i artistit, nëse ndalemi dhe e shikojmë ju jep përshtypjen se jeni duke komunikuar me veprat e tij.

“Nëse ndaleni përpara një vepre, ndjeni se komunkoni me veprat. Ngjyrat e zgjedhura me kujdes, loja me dritën dhe hijen, të bën të ndjehesh si në një botë të re, të rehatë që e bën punën e Shqipërimit të adhurohet pa masë”, deklaroi ai.

Profesori Musa Prelvukaj, kritiku i artit, shtoi në diskutim vlerën e veprave të ekspozuara, duke e cilësuar takimin me to si një përvojë të madhe. Ai u shpreh për admirimin e teknikës dhe integritetit të pikturës në punën e autorit.

“Teknikat që ai ka përdorur janë të jashtëzakonshme, por më e veçanta është mënyra se si ato janë vendosur në hapësirë dhe ambientin e duhur. Shqipërimit veprat i flasin vet. Është një nder për mua të njoh punën e tij të paraqitur në këtë ekspozitë. E di se përzgjedhja mes shumë punimeve nuk ka qenë e lehtë për të, por i uroj atij sukses në vazhdim”, deklaroi Prelvukaj.

Ndërkaq skulptori Mal Myrtaj ndau refleksionet e tij për përparimin e artit në Preshevë, duke e krahasuar atë me kohën kur ai ishte mësimdhënës në një gjimnaz lokal. Ai vuri në dukje rëndësinë e një ekspozite si kjo në të nxitur dhe promovuar talentet artistike në Kosovë dhe Shqipëri.

Shqipërim Fejzullahu, autori i ekspozitës, nuk la pa shprehur mirënjohjen e tij për Drejtorinë e Kulturës dhe Sportit të Gjilanit, që bëri të mundur realizimin e ekspozitës. Ai gjithashtu falenderoi bashkëpunëtoren, gruan e tij, skulptoren Valmire Fejzullahu, e cila u tregua mbështetëse dhe kritike konstruktive gjatë gjithë procesit krijues. Falënderime iu shkuan edhe kuratorit të ekspozitës, Muhamet Sadriut, duke lënë hapësirë për kritikë dhe sugjerime nga vizitorët.

Shqipërim Fejzullahu me ekspozitat e tij të shumta, ka fituar njohje të mëdha dhe ekspozita e tij e fundit është një udhëtim emocionues që na udhëheq në botën e zemrës dhe mendjes, duke transmetuar mesazhe të rëndësishme për paqen, tolerancën dhe dashurinë ndaj njerëzve. Pikturat janë një harmoni e bukur e ngjyrave, formave dhe teksturave, që reflektojnë thellësinë e trashëgimisë kulturore dhe shpirtin njerëzor.

“Dimensioni Artistik” është një ekspozitë e re që na ofron një shkëlqim të ri të artistit Shqipërim Fejzullahu. Është një udhëtim që nuk duhet humbur për të gjithë dashamirësit e artit.

Kështu, nën kujdesin e këtyre krijuesve dhe kritikëve, ekspozita “Dimensioni Artistik” u bë një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe artin në rajon, duke e përshkruar një udhëtim të pasur në botën e artit dhe kreativitetit. Ekspozita do të jetë e hapur deri në datën 17 prill dhe shënon vetëm fillimin e një udhëtimi të pasur në botën e artit!/UBTNews/

© Dionesa Ebibi

Exit mobile version