Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ishte një prej mungesave të mëdha të ekipit të Kosovës, në ndeshjen e mbrëmshme që Kosova e zhvilloi kundër Maqedonisë së Veriut, që pësoi me rezultat 2-1.
Rrahmani mungoi për shkak të karantinimit, pas rasteve pozitive që kishte te skuadra e Napolit, atje ku edhe është transferuar mbrojtësi i Kombëtares tonë.
Mirëpo, për mungesën e tij pati shumë komente negative nga tifozët e Kosovës, dhe për këto komente ka reaguar lojtari kosovar.
Lojtari nga Prishtina ka thënë se e gjithë skuadra e Napolit është në karantinë dhe se lojtarëve nuk u lejohet të lëvizin as edhe një metër jashtë hotelit.
“I gjithë ekipi i Napolit është në karantinë dhe jemi të ndaluar të bëjmë një metër larg hotelit. Pas të gjitha përpjekjeve të ambasadës italiane në Kosovë, prapë ishte e pamundur të vija”, deklaroi ai.
Ai u është përgjigjur të gjithë atyre tifozëve që i janë drejtuar me komente negative, duke u thënë se duhet fillimisht të mësohen ta duan vendin e tyre para se të komentojnë në rrjete sociale./UBTNews