Cristiano Ronaldo beson se transferimi i tij në Arabinë Saudite më herët këtë vit i ka hapur rrugën lojtarëve të tjerë të futbollit evropian t’i bashkohen atij atje.
Ronaldo u largua nga Manchester United para se të nënshkruante një marrëveshje prej 200 milionë eurosh në vit te Al Nassri.
Që nga ajo kohë, klubet nga liga saudite kanë filluar të jenë më të përfshira në transferimet në merkaton evropiane, duke qenë vazhdimisht të lidhura me disa nga emrat më të njohur të futbollit.
Lionel Messi ishte i lidhur gjithashtu me një kalim te Al Hilal para se t’i bashkohej Inter Miamit, ndërsa N’Golo Kante është afër që të kompletojë transferimin e tij te Al Ittihad në një marrëveshje prej 200 milionë eurosh për dy vitet e ardhshme.
Karim Benzema, fituesi i Topit të Artë, befasoi tifozët e futbollit evropian duke iu bashkuar Al Ittihad nga Real Madridi.
“E dija se transferimi im në Arabinë Saudite do të hapte dyert dhe unë nuk isha gabim. Jam i sigurt se pas dy ose tre vitesh, kjo ligë do të jetë njëra nga më të rëndësishmet në botë. Karim Benzema veçse u largua dhe jam i sigurt 1000% që edhe shumë të tjerë”, tha më tej Ronaldo.
Kalimi i Ronaldos në Arabinë Saudite me sa duket ka qenë pika e kthesës në përpjekjet e rekrutimit të ligës saudite. Që atëherë, një numër emrash janë përfolur për një kalim në Lindjen e Mesme.