Cristiano Ronaldo konfirmoi se do të tërhiqet nga futbolli brenda një ose dy vitesh. Ylli portugez tha se synon të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë, si turneu i fundit në karrierën e tij.
Ronaldo, që ka shënuar mbi 950 gola për klube dhe kombëtaren, theksoi se ende ndihet i shpejtë dhe i mprehtë dhe se po shijon lojën në ekipin kombëtar.
Ai shtoi se pas tërheqjes do të përqendrohet më shumë tek familja.
“Së shpejti për mua do të thotë pas 10 vitesh… Jo, po bëj shaka. Po e shijoj vërtet momentin tani. Siç e dini, në futboll, kur arrin një moshë të caktuar, i numëron muajt shumë shpejt. Ndihem shumë mirë në këtë moment. Shënoj gola, ende ndihem i shpejtë dhe i mprehtë. Po e shijoj lojën time në ekipin kombëtar. Por sigurisht, le të jemi të sinqertë. Ajo që dua të them me “së shpejti” është ndoshta një ose dy vjet.”, tha Ronaldo nëpërmjet një video-konference në një samit global mbi turizmin dhe investimet të organizuar nga Arabia Saudite.
Sulmuesi gjithashtu foli për djalin e tij, Cristiano Jr., duke thënë se dëshiron që ai të jetë i lumtur dhe të ndjekë pasionet e veta, pa presion nga babai.
Kjo do të shënojë fundin e një karriere të jashtëzakonshme 25-vjeçare në futboll./S.K/KP/
