UBT News

Ronaldo: Spanja e shkatërroi Argjentinën, rezultati nuk pasqyroi dominimin e saj

Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo Nazário, ka lavdëruar paraqitjen e Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026, duke vlerësuar se kampionët e rinj të botës ishin dukshëm superiorë ndaj Argjentinës, pavarësisht fitores minimale 1:0 pas vazhdimeve.

Në një reagim të publikuar në kanalin e tij në TikTok, ish-sulmuesi brazilian tha se rezultati nuk e pasqyroi aspak epërsinë që Spanja tregoi gjatë gjithë takimit.

“Ishte një ditë historike. Spanja dominoi nga fillimi deri në fund, pikërisht ashtu siç e prisja. Golat nuk erdhën aq lehtë sa e meritonin dhe nuk fituan me diferencën që e meritonin, por ishte dominim absolut gjatë gjithë ndeshjes”, deklaroi Ronaldo.

Fituesi i dy Kupave të Botës shkoi edhe më tej në analizën e tij, duke theksuar se dallimi në cilësi mes dy kombëtareve ishte i dukshëm.

“Ishte një shkatërrim. Diferenca në cilësi mes Spanjës dhe Argjentinës është e madhe. Edhe me Messin, nuk arritën t’i bëjnë ballë”, u shpreh ai.

Sipas Ronaldos, triumfi i Spanjës është rezultat i forcës kolektive dhe organizimit të skuadrës, e jo vetëm i individualiteteve.

“Një lojtar i talentuar mund të fitojë një ndeshje, por për të fituar një Kupë Bote të duhet forca e ekipit, siç e ka Spanja. Ata luajnë si një njësi dhe çdo futbollist është i rëndësishëm”, tha ai.

Në fund, ish-ylli brazilian e cilësoi stilin e lojës së Spanjës si standardin e ri të futbollit botëror.

“Argjentina nuk ka luajtur kurrë futboll të bukur, ata vetëm kanë luftuar me shumë karakter. Spanja ka ADN-në e saj të lojës dhe luan futboll të bukur. ‘Joga Bonito’ e Brazilit është tejkaluar dhe mënyra se si luan Spanja është tani më e mira në botë”, përfundoi Ronaldo.

D.L

Exit mobile version