Cristiano Ronaldo ka pranuar se po i afrohet fundit të karrierës së tij futbollistike, duke zbuluar se pensionimi është shumë afër. Në një intervistë me gazetarin anglez Piers Morgan, sulmuesi 40-vjeçar i Al-Nassr foli me sinqeritet për fundin e rrugëtimit të tij në futboll dhe krahasimin e përjetshëm me Lionel Messin.
“Kur do të dal në pension? Së shpejti, por mendoj se do të jem gati,” tha Ronaldo. “Sigurisht, do të jetë shumë e vështirë dhe ndoshta do të qaj. Por jam përgatitur për të ardhmen time që kur isha 25 vjeç, kështu që besoj se do ta përballoj mirë. Asgjë nuk krahasohet me adrenalinën që ndien kur shënon një gol, por gjithçka ka një fillim dhe një fund. Kam pasione të tjera dhe do të kem më shumë kohë për veten dhe familjen time.”, tha ai.
Ndërkohë, i pyetur për Lionel Messin, Ronaldo ishte i prerë.
“Fitimi i Kupës së Botës nuk është një ëndërr për mua, sepse nuk më përcakton si futbollist. Fitimi i një turneu në 6 ose 7 ndeshje nuk mjafton për t’u bërë një nga më të mirët në histori. Numrat nuk gënjejnë, e di vlerën time dhe jam në krye të listës së rekordeve. A është Messi më i mirë se unë? Nuk pajtohem, nuk dua të jem modest.”
Ronaldo, aktualisht pjesë e klubit Al-Nassr në Arabinë Saudite, është golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit me mbi 870 gola në karrierë dhe një nga emrat më të mëdhenj të të gjitha kohërave./S.K/KP/
