UBT News

Ronaldo rikthehet në shtëpi pas 12 vitesh, nesër debuton me Man Utd

Ylli portugez, Cristiano Ronaldo do të debutojë me fanellën e Manchester United nesër në ndeshjen me New Castle që do të zhvillohet në kuadër të Premier League-s, në orën 16:00.

Ronaldo nënshkroi kontratën dyvjeçare me Manchester United me mundësinë për të vazhduar edhe për një vit tjetër, dhe ekipi anglez ndihet maksimalisht i lumtur që e mirëpriti në shtëpinë e ‘Djajve të Kuq’ pas më shumë se 12 viteve ‘mbretin e rekordeve’.

Ronaldo në fillimet e tij e dëshmoi veten në Sporting të Lisbonës dhe kjo bëri që të binte në sy të një prej ekipeve me më së shumti ndikim në sportin e futbollit.

Në periudhën e parë luajti për Unitedin prej vitit 2003 deri në vitin 2009, para se të transferohej te Real Madridi. Ai me fanellën e ekipit anglez ka fituar nëntë trofe, përfshirë tre tituj kampioni të Anglisë në ligën Premier dhe një trofe të Ligës së Kampionëve.

Cristiano është pesë herë fitues i Topit të Artë. Deri më tani ka fituar mbi 30 trofe të njohur gjatë karrierës së tij, duke përfshirë pesë tituj të UEFA Champions League, po ashtu dhe katër Kupa Botërore të klubeve FIFA, pastaj dhe shtatë tituj ligash në Angli, Spanjë dhe Itali, ku ka dhënë kontributin e tij gjatë këtyre viteve.

Ronaldo ka përfunduar golashënuesi më i mirë në Serie A sezonin e kaluar, përpara Zlatan Ibrahimoviqit dhe Romelu Lukakut. Ronaldo gjithashtu fitoi “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë në Kampionatin Evropian, dhe këtë javë u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në nivel përfaqësuesesh. Kjo ka bërë që fansave të ‘Djajve të Kuq’ t’iu rritet shpresa se me rikthimin e Ronaldos do të mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve.

Përveç futbolldashësve, mbështetje të madhe po i ofrojnë edhe bashkëlojtarët e tij. Këtë e ka dëshmuar më së miri Edinson Cavani, i cili ia dha fanellën me numrin 7, fanellë kjo që ka histori në vete pasiqë me të ia dëshmoi botës së futbollit se çfarë ishte në gjendje që të bënte.

Efekti CR7 vërehet edhe te shitja e fanellave, ku në stoqet e dyqanit nuk kanë mbetur të tilla me emrin e tij. Fansat mezi po presin ta shohin portugezin./UBTNews

(Leon Beqiri, student në Shkenca Politike)

Exit mobile version