Menjëherë pas rikthimit në Torino, ku do të drejtojë sërish Juventusin pas 5 vitesh mjaft të suksesshme, Massimiliano Allegri kërkoi rinovimin e huazimit për sulmuesin spanjoll Alvaro Morata, një futbollist të cilit ia njeh mjaft mirë cilësitë.
Megjithatë drejtuesit e klubit bardhezi kanë ende shumë punë për të bërë sa i përket repartit të avancuar, por shumë do të varet nga e ardhmja e Cristiano Ronaldos, aktualisht i angazhuar në Kampionatin Europian.
Klubi torinez dëshiron të lirohet prej portugezit për të ulur nivelin e lartë të pagave dhe njëkohësisht për të investuar në emra të rinj me perspektivë, por diskutimi për të ardhmen e CR7-ës është shtyrë për t’u bërë pas përfundimit të Europianit.
Një nga emrat në listën e drejtuesve bardhezi është ai i sulmuesit serb Dusan Vlahovic, që pas një sezoni mjaft të mirë me Fiorentinën, ka zgjuar interesin e klubeve të shumta italiane dhe europiane.
Klubi i Fiorentinës kërkon të përfitojë të paktën 60 milionë euro nga kartoni i tij dhe këtë shifër Juventusi mund ta paguajë vetëm nëse lirohet nga shërbimet e Cristiano Ronaldos, pasi arkat do të liroheshin nga një peshë prej më shumë se 50 milionë eurosh që portugezi i merr si pagë sezonale.
Megjithatë nuk përjashtohet as afrimi i Mauro Icardit, një sulmues që preferohet shumë nga Allegri dhe që nuk shihet si i pazëvendësueshëm te Paris Saint Germain. Për më tepër, nëse francezët do të kërkojnë afrimin e Ronaldos në ‘Parkun e Princave”, atëherë mund të përfshijnë në marrëveshje edhe sulmuesin argjentinas.