Cristiano Ronaldo ka ndërmarrë një hap të ri në karrierën e tij, duke zgjeruar horizontet përtej futbollit.
Ylli portugez ka themeluar një studio të pavarur filmike me emrin “UR-Marv”, në bashkëpunim me regjisorin e njohur Matthew Vaughn, duke shënuar një kapitull të ri në jetën e tij profesionale.
“Ndihem i emocionuar për këtë kapitull të ri, pasi gjithmonë kërkoj mundësi të reja biznesi”, është shprehur Ronaldo në intervistë, duke konfirmuar ambiciet e tij për të ndërtuar një prani të fortë edhe në industrinë e filmit.
Studioja “UR-Marv” synon të sjellë frymë të re në kinematografi, duke kombinuar teknologjinë e avancuar me vlerat klasike të artit filmik.
Si hap i parë, dy filmat e parë aksion janë tashmë në fazën e financimit, dhe janë pjesë e një seriali më të gjerë që po planifikohet.
Ndërkohë, është duke u zhvilluar edhe filmi i tretë, për të cilin priten së shpejti detajet e para zyrtare.
Kjo nismë e re dëshmon edhe një herë vendosmërinë e Ronaldos për të ndërtuar një trashëgimi që shkon përtej sportit, duke u pozicionuar si një figurë e rëndësishme edhe në industrinë e argëtimit.