Ylli portugez, Cristiano Ronaldo ka premtuar që gjithmonë do të synojë më shumë pas tre golave të tij në ndeshjen e mbrëmshme kundër Luksemburgut në kualifikimet drejt Kampionatit Botëror.
Ronaldo regjistroi hat-trickun e 58 në karrierën e tij, të 10 për Kombëtaren e Portugalisë, në fitoren me rezultat të thellë 5:0 kundër Luksemburgut.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë, shënoi mbrëmë dy penallti brenda pesë minutave në pjesën e parë, kurse golin e tretë e shënoi në minutën 87’ të ndeshjes.
Po ashtu, Ronaldo arriti në kuotën e 115 golave në nivel kombëtaresh me Portugalinë.
“Një tjetër fitore, një tjetër hap drejt qëllimit tonë, një tjetër natë historike në mbrojtje të ngjyrave tona. Çdo gjë bëhet më e lehtë kur luajmë në shtëpi përpara tifozëve tanë që na përkrahi neve nga minuta e parë deri tek ajo e fundit”, tha Ronaldo.
“Kam premtuar që gjithmonë do të kërkojë më shumë, e më shumë. Është në ADN time dhe në ADN tonë, nuk jemi inferior, ne kurrë nuk i ulim pritshmëritë tona dhe gjithmonë ecim përpara”, shtoi Ronaldo.
Portugalia tani gjendet një pikë larg liderit të Grupit A – Serbisë, por me një ndeshje më pak në duar, ku muajin tjetër do të jenë ndeshjet më të rëndësishme për portugezët drejt kualifikimit tutje për në Kampionatit Botëror “Katar 2022”.