Ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, mbrëmë ishte njeriu i ndeshjes, në duelin ndaj Barcelonës dhe rivalit të tij të kahmotshëm, Lionel Messi.
Portugezi i shënoi dy gola skuadrës katalunase, në përballjen e veçantë mes dy prej lojtarëve më të mirë të historisë së futbollit, që kanë thyer shumë rekorde, përgjatë rivalitetit të tyrë në skenën evropiane.
Këta gola ishin të veçantë për portugezin, pasi që ai i shënoi golat e parë ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve, garën në të cilën ylli i Zonjës së Vjetër udhëheq si golashënuesi më i mirë në histori me 134 gola të shënuar.
“Barcelona po kalon në një periudhë të vështirë, mirëpo është akoma Barcelona. Është e vërtetë se jemi shumë të gëzuar, e dinim se ishte një mision thuajse i pamundur, një mision i komplikuar dhe luajtëm mirë. Çelësi ishte që të hynim mirë në lojë, shënuam dy gola të hershëm dhe nga ai çast besuam se ishte e mundur”, ka deklaruar Ronaldo për Movistar+ pas ndeshjes./UBTNews