Superylli portugez, Cristiano Ronaldo u zbulua zyrtarisht nga klubi i tij i ri nga Arabia Saudite, Al Nassr të martën në Riad. Ai tha se këtë lëvizje e bëri pasi “fitoi gjithçka” në Evropë.
Ronaldo do të fitojë rreth 200 milionë dollarë në vit me Al Nassr, sipas mediave shtetërore saudite.
“Jam shumë krenar që e mora këtë vendim të madh në jetën time, në futboll. Siç e përmendët më parë, puna ime në Evropë, ka mbaruar. Unë fitova gjithçka”, tha pesë herë fituesi i Topit të Artë.
“Kam luajtur me klubet më të rëndësishme në Evropë dhe për mua tani është një sfidë e re”.
37-vjeçari tregoi se një numër i klubeve nga e gjithë bota kanë tentuar të nënshkruajnë me të.
“Kam pasur shumë mundësi në Evropë, shumë klube, në Brazil, në Australi, SHBA, madje edhe në Portugali. Shumë klube u përpoqën të nënshkruanin me mua”, deklaroi ai mes tjerash.
Pavarësisht zhgënjimit në Katar 2022 me Portugalinë, Ronaldo u bë lojtari i parë që shënon në pesë Kupat e Botës. Ai e filloi raundin e 16-të dhe ndeshjet çerekfinale të Portugalisë në stolin e zëvendësuesve, duke humbur vendin e tij në formacionin fillestar pasi trajneri Fernando Santos zgjodhi Gonçalo Ramos në vend të tij./UBTNews/