Zëvendëspresidenti i Juventusit, Pavel Nedved, ka këmbëngulur se Cristiano Ronaldo dhe Andrea Pirlo do të qëndrojnë në Juventus, por e ka hedhur në dyshim të ardhmen e Paulo Dybalas.
Trajneri Pirlo është duke u përballur me kritika të mëdha pas humbjes 1:0 në shtëpi kundër Beneventos. Juve ka ngelur shumë mbrapa në luftë për titull në Serie A këtë sezon, pasi renditet në vendin e tretë në tabelë me 10 pikë më pak se lideri Inter.
Për më tepër, bardhezinjtë u eliminuan edhe nga Liga e Kampionëve shumë herët, pas humbjes kundër Portos në 1/8 e finales.
Me gjithë këtë, Juventusi nuk dëshiron të heqë dorë assesi nga dyshja Ronaldo-Pirlo.
“Pirlo është dhe do të mbetet trajner i Juventusit, kjo është 100 për qind e sigurt”, tha Nedved.
“Ne e kemi nisur një projekt të ri me të, duke e ditur se do të përballeshim me vështirësi. Ne jemi të qetë, sepse Pirlo ka gjithçka që i duhet për t’u bërë trajner i madh”, shtoi ai.
Në lidhje me të ardhmen e Ronaldos, e cila është e pasigurt, Nedved theksoi: “Sa e di unë, Ronaldo nuk largohet. Ai ka kontratë me ne deri në qershor të vitit 2022 dhe ai do të qëndrojë.”
Ai, megjithatë, hodhi dyshime mbi të ardhmen e Dybalas: “Prezenca e tij do të na jepte më shumë opsione në sulm. Ai e ka edhe një vit në kontratë dhe nuk kam çfarë shtoj në atë që e kanë thënë tashmë Paratici dhe Agnelli. Juventusi do ta vlerësojë çdo mundësi në treg”.