Sulmuesi portugez, Cristiano Ronaldo thuhet se ishte i hapur për kalimin në Etihad te Manchester City gjatë afatit kalimtar të verës.
Emri i Ronaldos ka qenë njëri nga më të përfolurit gjatë verës, pasi ylli portugez lidhej me një largim nga Juventusi dhe rikthim në Ligën Premier.
Klubi më i interesuar dhe më afër tij u tha se ishte City, por në fund Ronaldo zgjodhi të rikthehet te Manchester Unitedi.
City u përpoq dhe nuk arriti të largonte njërin nga Bernardo Silva, Gabriel Jesus ose Riyad Mahrez ndërsa Pep Guardiola kërkoi të sillte Ronaldon, i cili përfundimisht zgjodhi të nënshkruajë përsëri për klubin nga Old Trafford.
Megjithatë, sipas mediumit të njohur COPE, Ronaldo donte të transferohej në Etihad te City nga Juventus para se Unitedi ta thërriste.
Publikimi spanjoll është informuar nga gazetari evropian i futbollit, Guillem Ballague se 36-vjeçari ishte gati të nisej për në Etihad, por kampionët e Ligës Premier nuk ishin në gjendje të shisnin një sulmues për t’i lënë vend ardhjes së tij.
Ndryshe, Ronaldo ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Djajtë e Kuq dhe pritet të debutojë këtë fundjavë me ekipin e Ole Gunnar Solskjaer.