UBT News

Ronaldo bëhet sportisti më i paguar në botë me marrëveshjen e re në Arabinë Saudite

Cristiano Ronaldo ka firmosur një kontratë të re dyvjeçare me klubin saudit Al-Nassr, duke u bërë sportisti më i paguar në botë. Sipas të përditshmes zvicerane “Blick”, kjo marrëveshje kap vlerën totale prej rreth 565 milionë eurosh, duke përfshirë paga, shpërblime dhe përfitime personale luksoze.

Paga vjetore e Ronaldos në këtë kontratë është afërsisht 200 milionë euro, ndërsa ai do të marrë edhe një pagesë për nënshkrim prej 27 milionë eurosh menjëherë, dhe 15 milionë të tjera nëse qëndron edhe në sezonin e dytë. Përveç kësaj, portugezi ka siguruar 15% aksione në klub, me vlerë rreth 36 milionë euro, si dhe një marrëveshje sponsorizimi për tregun aziatik me vlerë 66 milionë euro.

Bonuset për performancën në fushë janë gjithashtu të larta: për çdo gol Ronaldo do të marrë 88 mijë euro, për asist 44 mijë euro, ndërsa për fitimin e titullit kampion një bonus prej 9.4 milionë eurosh. Bonuset për fitimin e Champions League Aziatik dhe për golashënuesin më të mirë arrijnë respektivisht në 7.2 dhe 4.7 milionë euro.

Kontrata përfshin edhe shërbime dhe përfitime personale të nivelit të lartë, përfshirë avion privat në dispozicion 24/7, staf prej 16 personash që përfshin kuzhinier, trajner fitnesi dhe staf sigurie, vila luksoze në Riad, si dhe pushime të paguara në destinacionet e zgjedhura nga ylli portugez.

Kjo marrëveshje jo vetëm që vendos Ronaldon në majë të listës së sportistëve më të paguar në histori, duke tejkaluar kontratat e yjeve si Lionel Messi dhe LeBron James, por gjithashtu përfaqëson një pjesë të strategjisë së Arabisë Saudite për zhvillim sportiv dhe ekonomik, të njohur si “Vision 2030”.

Exit mobile version