UBT News

Ron Raçi kërkon largimin nga Hajduku i Splitit në afatin kalimtar të janarit

Mbrojtësi kosovar Ron Raçi mund të largohet nga Hajduku i Splitit gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi nuk është i kënaqur me minutazhën që po merr në skuadrën kroate.

Lajmi është bërë i ditur nga mediumi kroat “Nogometne Vijesti”, sipas të cilit 24-vjeçari po shqyrton mundësinë e largimit në kërkim të më shumë hapësirës për lojë.

Raçi së fundmi ka humbur vendin e titullarit te Hajduku, ndërsa në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat nuk ka luajtur asnjë minutë, duke qëndruar në bankën rezervë.

Paraqitjen e fundit, qendërmbrojtësi kosovar e kishte më 10 tetor, në përballjen ndaj Dinamos së Zagrebit.

Gjatë këtij edicioni, Raçi ka regjistruar gjithsej 792 minuta lojë dhe ka realizuar një gol.

Pavarësisht situatës aktuale, mbrojtësi ka pasur paraqitje pozitive me fanellën e Hajdukut, ndërsa trajneri Gonzalo Garcia kishte shprehur më herët publikisht vlerësimin për cilësitë e reprezentuesit të Kosovës.

Raçi iu bashkua klubit nga Spliti në verën e vitit të kaluar, duke u transferuar nga Prishtina për shumën prej 300 mijë eurosh.

Megjithatë, kontrata e tij me Hajdukun është e vlefshme deri në verën e vitit 2029, ndaj mbetet të shihet se si do të zgjidhet e ardhmja e tij gjatë afatit kalimtar dimëror.

D.L

Exit mobile version