UBT News

Rolling Stones pa bateristin Charlie Watts në turneun e ardhshëm

Lideri i Rolling Stones, Mick Jagger u shpreh se grupi mezi po e pret kthimin e Charlie Watts “sapo të shërohet plotësisht”, pas lajmeve sipas të cilave bateristi ka të ngjarë të humbasë turneun e ardhshëm të grupit në SHBA.

Një zëdhënës i Watts, 80 vjeç, konfirmoi se “nuk ka gjasa që ai të jetë i disponueshëm për rifillimin e Turneut të Rolling Stones “USA No Filter” këtë vjeshtë, sepse po kurohet nga një procedurë mjekësore e paspecifikuar”.

“Charlie ka kryer një procedurë, që ka rezultuar plotësisht e suksesshme, por mjekët e tij këtë javë arritën në përfundimin se ai tashmë ka nevojë për pushim dhe periudhën e duhur të shërimit”, shpjegoi zëdhënësi.

Grupi do të rifillojë turneun në SHBA në shtator, pas shtyrjes së tij vitin e kaluar.

Pas lajmeve, Jagger mirëpriti zëvendësuesin e Watts, Steve Jordan, i cili do t’i bashkohet grupit kur të fillojë turneu në St. Louis, më 26 shtator, me data të planifikuara edhe për Pittsburgh, Nashville, Minneapolis, Dallas etj.

“Ne e mirëpresim Charlie-n sapo të shërohet plotësisht. Faleminderit mikut tonë, Steve Jordan, për ndërhyrjen, që ne të mund të luajmë të gjitha shfaqjet për ju këtë vjeshtë”, shkroi Jagger në Twitter.

Exit mobile version