Mesfushori i Manchester Cityt, Rodri, mund të përballet me një vendim të madh për të ardhmen e tij, pasi interesimi për shërbimet e tij po rritet nga dy gjigantët spanjollë, Real Madridi dhe Barcelona.
Sipas raportimit të BBC, 30-vjeçari ndodhet në vitin e fundit të kontratës me Manchester Cityn dhe ende nuk ka arritur marrëveshje për rinovimin e saj, duke shtuar spekulimet për një largim të mundshëm.
Real Madridi prej kohësh e ka në listën e dëshirave reprezentuesin spanjoll, por burime të BBC-së bëjnë të ditur se edhe Barcelona tashmë i është bashkuar garës për transferimin e fituesit të “Topit të Artë”.
Rodri ka kaluar dy sezone të vështira për shkak të problemeve me lëndimet. Ai mungoi në pjesën më të madhe të sezonit 2024/25 pas një dëmtimi serioz në gju, ndërsa edhe sezoni pasues u ndikua nga problemet fizike.
Megjithatë, mesfushori spanjoll riktheu formën e tij më të mirë në Kupën e Botës, ku ishte një nga protagonistët kryesorë të Spanjës në rrugën drejt triumfit. Paraqitjet e tij u shpërblyen edhe me çmimin Lojtari më i Mirë i Turneut.
Mbetet të shihet nëse Rodri do ta vazhdojë karrierën në “Etihad” apo do të rikthehet në La Liga, ku Real Madridi dhe Barcelona po e ndjekin nga afër situatën e tij kontraktuale.
D.L
