Trajneri Roberto Martínez ka konfirmuar se është larguar nga posti i përzgjedhësit të Portugalisë pas humbjes 1:0 ndaj Spanjës në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës 2026.
Sipas ESPN, tekniku spanjoll e bëri të ditur vendimin në konferencën për media pas ndeshjes, duke theksuar se përfundimi i bashkëpunimit është “fundi i një cikli” dhe se nuk do të kishte kuptim vazhdimi i tij në krye të kombëtares portugeze.
“Po, kjo ishte ndeshja ime e fundit me ekipin kombëtar. Jam krenar për gjithçka që kemi arritur. Është fundi i një cikli dhe në këtë kontekst ka plotësisht kuptim”, deklaroi Martínez.
Portugalia u eliminua nga Botërori pasi pësoi gol në minutën e 91-të nga Mikel Merino, ndërsa kjo ishte edhe paraqitja e fundit e Cristiano Ronaldos në një Kupë Bote.
Megjithatë, Martínez refuzoi ta cilësojë eliminimin si dështim.
“Nuk dështuam. Humbëm ndaj një skuadre që është ndër favoritët. Dështon vetëm kur nuk përpiqesh të fitosh, ndërsa ne luftuam deri në minutën e fundit”, u shpreh ai.
Trajneri spanjoll mbrojti gjithashtu vendimin për ta mbajtur Cristiano Ronaldon në fushë gjatë gjithë 90 minutave, duke theksuar se një futbollist me ndikimin e tij nuk mund të zëvendësohej në një ndeshje ku Portugalia kërkonte me çdo kusht golin e barazimit.
Martínez mori drejtimin e Portugalisë në vitin 2023, ndërsa kontrata e tij përfundonte pas Kupës së Botës 2026. Gjatë mandatit të tij, Portugalia u eliminua në çerekfinale të Euro 2024 dhe në fazën e 1/8 së finales në Botërorin 2026.
D.L
