UBT News

Roberto Mancini rikthehet në stolin e Italisë, Ranieri emërohet drejtor teknik

Roberto Mancini është rikthyer zyrtarisht në krye të Kombëtares së Italisë, tre vjet pasi ishte larguar nga posti i përzgjedhësit. Federata Italiane e Futbollit ka konfirmuar emërimin e tij, ndërsa Claudio Ranieri është caktuar drejtor teknik i “Azzurrëve”.

Rikthimi i Mancinit vjen pas një periudhe të trazuar në futbollin italian. Më 12 korrik, Paolo Maldini u prezantua si drejtori i ri teknik i federatës, me ish-bashkëlojtarin e tij te Milani, Leonardo, në rolin e këshilltarit special. Dyshja kishte shpalosur një projekt të ri për zhvillimin e futbollit italian dhe kishte zhvilluar bisedime me Pep Guardiolën për postin e trajnerit.

Megjithatë, projekti mori fund brenda pak ditësh. Maldini dhe Leonardo dhanë dorëheqjen pasi kandidati i tyre i tretë për stolin e Italisë, Andrea Pirlo, nuk mundi të emërohej për shkak të kontratës së tij si ambasador global i një kompanie ruse të basteve.

Pas këtij zhvillimi, presidenti i Komitetit Olimpik Italian, Giovanni Malagò, vendosi t’i rikthehej opsionit të preferuar, Roberto Mancinit.

Federata Italiane e Futbollit konfirmoi emërimin me një njoftim të shkurtër në faqen zyrtare: “Roberto Mancini është trajneri i ri i Kombëtares së Italisë.”

Mancini drejtoi Italinë nga viti 2018 deri në vitin 2023, periudhë gjatë së cilës fitoi Euro 2020, por nuk arriti ta kualifikojë kombëtaren në Kupën e Botës 2022. Tani ai rikthehet me synimin për ta rikthyer Italinë në majat e futbollit ndërkombëtar.

D.L

Exit mobile version