Ekspozita “Rizgjimi në vlerat kombëtare, Kosova Republikë” u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë për të shënuar 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Aktiviteti u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK).
Në hapjen e ekspozitës ishin të pranishëm figura të rëndësishme si kreu i ASHAK-ut, Bislim Bislimi, drejtori i Arkivave Shtetërore Vendore në DPA, Lorenc Agalliu, si dhe studiues dhe qytetarë të tjerë.
Përmes materialeve të ekspozuara, publiku pati mundësinë të njihet me historinë e orvatjeve të kauzës “Kosova Republikë”. Disa nga materialet përfshinin marrëveshjet e bashkëpunimit shkencor në fillim të viteve ’70, foto nga takimet e grupit të punës midis Ministrisë së Arsimit shqiptar dhe palës kosovare, si dhe ndjesi letrare nga Kosova në periodikun “Fatosi”. Po ashtu, u prezantuan edhe analizat e detajuara të shtypit, radios dhe televizionit shqiptar mbi çështjet e Kosovës deri në vitin 1979.
Kjo ekspozitë ofroi një perspektivë të qartë për përpjekjet dhe angazhimin e shumë aktorëve në përfaqësimin dhe promovimin e çështjes së Kosovës në periudhën para Çlirimit. Ishte një rast i rëndësishëm për të reflektuar mbi historinë dhe përparimin e kombit, duke e vlerësuar rolin e çdo individit në këtë proces./UBTNews/