Më 22 korrik të vitit 1718, në skenën e teatrit “Teatro di via della Pergola” në Firence, u shfaq për herë të parë opera “Skënderbeu” e kompozuar nga Antonio Vivaldi, një vepër e rrallë në repertorin e tij. Opera ishte një nderim ndaj heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Teatri “Teatro di via della Pergola” ishte një institucion i rëndësishëm në kulturën italiane, i themeluar që nga viti 1657 me emrin “Teatro dell’Accademia degli Immobili”. Ai ishte një nga qendrat e inovacionit në operën italiane, duke marrë frymë nga propozimet artistike venedikase që kishin dominuar në fillim të shekullit XVII.
Libretisti i operës “Skënderbeu” ishte Antonio Salvi da Lucignano, ndërsa pjesët e mbetura të partiturave ruhen sot në Bibliotekën Kombëtare në Torino. Megjithëse mungon partitura e plotë, autografi i Vivaldit për këtë operë gjendet në vëllimin e dytë të koleksionit, duke përfshirë gjashtë kapituj të plotë të muzikës.
Kronikat e kohës tregojnë se opera u shfaq rreth 18 herë rresht, duke mbledhur sukses në çdo paraqitje. Studiuesit besojnë se faktori kryesor i suksesit të kësaj opere në atë periudhë ishte konteksti politik i kohës. Pas fitoreve të mëdha të Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane, figura e tij ishte e rëndësishme në shpirtin e kohës në Venedik dhe shtetet italiane të tjera. Interesi për të ishte gjithashtu i lartë për shkak të rrezikut të ekspansionit otoman në Evropë.
“Skënderbeu” shënon një pikë kryesore në karrierën e Vivaldit si kompozitor operistik, duke i hapur atij rrugën për të fituar njohje të mëtejshme në skenën e operasë evropiane. Përkundër faktit që protagonisti i operës nuk i përket mitologjisë, por një figurë historike të afërt për kohën, figura e Skënderbeut mbeti e rëndësishme për kujtesën italiane dhe evropiane si udhëheqës i pavarur që rezistoi me sukses kundër forcave otomane.
Opera “Skënderbeu” tregon aftësitë kompozitore të Vivaldit për të trajtuar temat e historisë dhe heroizmit me një stil të jashtëzakonshëm muzikor, duke e bërë atë një kontribut të rëndësishëm në repertorin e operasë italiane të shekullit XVIII./UBTNews/