Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka promovuar investimet në infrastrukturën e teatrit “Muharrem Qena” në Mitrovicë, ndërsa përballë ka edhe një krizë të re që mund të çojë në grevë të aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Pas muajsh negociatash dhe kërkesash për rritje pagash, aktorët kanë paralajmëruar se, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, ata do të ndërmarrin veprime sindikale drastike dhe, pas pesë ditësh, do të shpallin grevë të përgjithshme.
Aktualisht, aktorët e TKK-së kërkojnë rritje të pagave në përputhje me angazhimin dhe orët e gjata të punës që kërkon profesioni i tyre. Ata kërkojnë që pagat e tyre të reflektojnë vlerën e përgatitjes profesionale, përgjegjësinë dhe kalendarin e ngjeshur të aktiviteteve që ata zhvillojnë. Kjo ka çuar në një tension të madh mes ministrisë dhe sindikatës, që për momentin po kërkon ndërmjetësim ligjor.
Ndërkohë, ministri Çeku vazhdon promovimin e rinovimeve të teatrit dhe investimeve në infrastrukturë. Ai ka njoftuar përmbylljen e rinovimit të teatrit “Muharrem Qena” në Mitrovicë, një investim që ka për qëllim përmirësimin e kushteve për artistët dhe publikun. Sipas Çekut, ky modernizim është një shenjë e angazhimit të Qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës kulturore dhe nderim të figurës së Muharrem Qenës, njërit ndër artistët më të shquar të Kosovës.
Megjithatë, përballë këtyre përpjekjeve, TKK-ja mund të mbyllë dyert për publikun nëse nuk zgjidhen kërkesat e aktorëve. Greva e paralajmëruar mund të dëmtojë programin dhe aktivitete të rëndësishme, përfshirë Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit “Moisiu”, që do të mbahet këtë muaj.
Në një zhvillim të mëtejshëm, aktorët kishin shprehur pakënaqësinë e tyre edhe gjatë vitit të kaluar, pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, ku aktorët e Teatrit Kombëtar mbetën të pakënaqur me rritjen e papërfillshme të pagave. Ata kërkojnë që koeficientët e pagave të rishikohen dhe të pasqyrojnë realitetin e punës së tyre.
Nëse greva ndodh, ajo do të dëmtojë rëndë programin e Teatrit Kombëtar dhe mund të çojë në ndërprerjen e shfaqjeve dhe aktiviteteve të tjera të planifikuara./UBTNews/