Sulmuesi i Prishtinës, Rin Ahmeti, është shpallur futbollisti më i mirë i xhiros së dhjetë në Superligën e Kosovës, duke u vlerësuar me çmimin “Ylli i Javës” nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
Ahmeti e fitoi këtë epitet pas paraqitjes vendimtare në përballjen ndaj Ballkanit, ku realizoi golin e vetëm të ndeshjes, duke ia siguruar Prishtinës fitoren me rezultat 1:0.
FFK-ja e shpalli të martën sulmuesin kryeqytetas si më të mirin e javës, duke vlerësuar kontributin e tij në një përballje të rëndësishme të kampionatit.
“Ahmeti realizoi golin vendimtar të takimit, duke i siguruar Prishtinës tri pikë tejet të vlefshme. Me paraqitjen e tij dhe golin e shënuar, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në suksesin e skuadrës kryeqytetase në një përballje të rëndësishme të kampionatit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
D.L
