Pas një pushimi të gjatë vjeshtor, Botërori i Formula 1 po përgatitet për një “tur force” me tri gara radhazi. Sfida e parë do të zhvillohet në Austin, Amerikë, ku vëmendja do të jetë e përqendruar te dueli mes Max Verstappen dhe Lando Norris.
Ferrari, që ka ardhur me disa risi në fund të sezonit, shpreson të përfitojë nga situata e rivalëve. Drejtori sportiv i skuadrës, Frederic Vasseur, është optimist dhe tha: “Tani nis finalja intensive e sezonit, me 6 gara në vetëm tetë javë. Ne duam të verifikojmë veten në kthesat e shpejtësisë së lartë të kësaj piste. Kemi edhe garën sprint, që do të na japë mundësinë për të testuar makinën në një seancë të vetme.”
Vasseur theksoi se pilotët Charles Leclerc dhe Carlos Sainz janë të përgatitur mirë dhe skuadra është gati për të dhënë maksimumin. “Si gjithmonë, do të fokusohemi te vetja për të sjellë në shtëpi më të mirën nga paketa që kemi. Duhet të japim gjithçka, sepse vlerat në pistë janë shumë afër dhe gjithçka është ende e hapur në renditje,” shtoi ai.
Pista e Austin-it, e njohur për kthesat dhe ulje-ngritjet e saj, është një nga pistat më argëtuese të kampionatit. Vitin e kaluar, Charles Leclerc arriti të merrte “pole position”, por nuk arriti të përsëritë suksesin në garë, duke përfunduar i gjashti.
Ferrari ka besim se me dy pilotë të talentuar dhe makinat e përmirësuara, mund të konkurrojë seriozisht për titullin kampion për konstruktorë deri në fund të sezonit. Garat e ardhshme do të jenë vendimtare për ambiciet e skuadrës italiane./UBTNews/