Muzeu Marubi në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë shqiptare ka shpallur hapjen e ekspozitës së re me titullin “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno – Rilindja në Artin Pamor Shqiptar”. Kuruar nga Luçjan Bedeni, kjo ekspozitë do të hapet për publikun më 19 gusht.
Luçjan Bedeni, drejtor i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe kurator i kësaj ekspozite, ka ndarë detaje rreth hulumtimit të tij dhe zbulimeve të fundit. Ai ka përmendur se hulumtimet e tij në fototekën e Institutit të Antropologjisë kanë sjellë në dritë negativa me vlerë të Kolë Idromenos, duke shtuar se kjo kontribuon në përcaktimin e autorësisë së fotove.
“Imazhet e përzgjedhura për posterin e ekspozitës tregojnë lidhjet e thella mes arkivave fotografike të Marubëve dhe Idromenos. Fotografia e një burri me brirë, e cila ruhet në fototekën e Muzeut Marubi, është konfirmuar të jetë shkrepje e Kel Kodhelit (Marubi)”, shkruan Bedeni në një postim në rrjetet sociale.
Ai gjithashtu pohon se një imazh i ngjashëm me të, një foto e burrit me fes, e ruajtur në Institutin e Antropologjisë, ka autorësinë e Kolë Idromenos. Pyetjet lidhur me autorësinë e saktë të këtyre fotografive janë të rëndësishme për konservimin e historisë artistike të Shqipërisë.
Ekspozita do të ofrojë një shkëmbim të pasur kulturor dhe artistik për vizitorët, duke sjellë në pah ngjarje dhe figura të rëndësishme të periudhës së Rilindjes në Artin Pamor Shqiptar./UBTNews/