Laboratori i restaurimit të librave në qendrën “Sotir Kolea” ka arritur të restaurojë rreth 600 libra të viteve 1800-1940, të cilët janë pjesë e arkivit të Bibliotekës Kombëtare. Pajisjet e reja janë mundësuar falë mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes programit të granteve EU4Culture.
Këto pajisje, me një vlerë prej 668,922 euro, përfshijnë servera, skanera të librave dhe të barkodeve, laptopë, tableta, pastrues të specializuar, dezinfektues dhe dhoma tharje, si dhe makina pastrimi për heqjen e aciditetit të letrës së librave. Të gjitha këto kanë rritur ndjeshëm shërbimet e bibliotekës, duke ruajtur fondin e çmuar të librave dhe vlerave të rralla që ato mbartin.
Antonio Çikollari, përgjegjës i sektorit të mirëmbajtjes së librit pranë qendrës “Sotir Kolea”, thekson transformimin që ka sjellë teknologjia moderne në procesin e restaurimit të librave. Dikur, punët kryheshin në mënyrë mekanike, ku punonjëset i bënin me dorë ose me mjete primitive. Tani, falë pajisjeve të reja, puna është bërë shumë më e lehtë dhe më efikase, duke ndikuar pozitivisht në sasinë e restaurimit dhe përpunimit të librave. Çikollari tregon se tani mund të pastrohen deri në 40-50 libra për 15 minuta, një përparim i madh krahasuar me metodat tradicionale.
Çikollari thekson rëndësinë e përzgjedhjes së librave për restaurim në varësi të përmbajtjeve të tyre. Ai përmend libra të Erasmusit të Roterdamit që janë gjetur në Bibliotekën Kombëtare dhe që kanë nevojë për kujdes të veçantë për shkak të dëmtimeve që pësojnë me kalimin e kohës, edhe kur nuk janë ekspozuar kurrë. Ai shprehet se është e nevojshme që këtyre veprave të rralla t’u kushtohet një vëmendje e veçantë, për t’i ruajtur dhe për t’i ndarë këto vlera të fshehura me publikun./UBTNews/