UBT News

Rikthimi i Huang në krye të “Nvidia”-s dhe loja e re e çipave mes SHBA-së dhe Kinës

Riemërimi i Jensen Huang në krye të gjigantit teknologjik “Nvidia”, menjëherë pas takimeve të javës së kaluar në Shenzhen mes presidentit kinez Xi Jinping dhe atij amerikan Donald Trump, po shihet si sinjal se dialogu i drejtpërdrejtë po jep fryte në raportet me Uashingtonin.

Trump ka konfirmuar se me homologun e tij kinez kanë diskutuar edhe për Huangun, por pa dhënë hollësi të tjera, ndërsa Pekini zyrtar ka zgjedhur të heshtë.

Kjo zhvillim ka forcuar bindjen te zyrtarët kinezë se në Uashington ekzistojnë dy rryma: ata që kërkojnë kufizimin e qasjes së Kinës në teknologjinë e avancuar për arsye të sigurisë kombëtare amerikane, dhe ata përfshirë vetë Huangun që besojnë se këto ndalesa nuk do t’i frenojnë ambiciet e Pekinit. Huang ka argumentuar vazhdimisht se kontrollet amerikane të eksportit vetëm sa do t’i shtyjnë kompanitë kineze, si “Huawei”, të ndërtojnë alternativa të pavarura, duke i lënë njëherësh firmat amerikane jashtë ekonomisë së dytë më të madhe në botë.

Megjithatë, rikthimi i tij në drejtimin e “Nvidia”-s nuk përbën garanci për lehtësime ndaj Pekinit.

Shitja e çipave të avancuar pritet të mbetet një nga pikat kryesore të fërkimit mes SHBA-së dhe Kinës, sidomos tani që të dyja palët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje tregtare përpara takimit të radhës Trump–Xi, që pritet të mbahet në dhjetor.

Ndërkohë, rregulla të reja po hyjnë në fuqi që pritet ta shqetësojnë seriozisht Pekinin. Byroja Amerikane e Industrisë dhe Sigurisë (BIS) po i ashpërson kufizimet, duke vënë në shënjestër jo vetëm eksportin e drejtpërdrejtë të çipave të avancuar drejt Kinës, por edhe mundësinë që kompanitë kineze të shfrytëzojnë fuqinë kompjuterike në qendrat e të dhënave jashtë vendit. /BBC/

 

Exit mobile version