Armando Broja vazhdon të mbetet jashtë fushave të lojës prej dy muajsh, pas një dëmtimi të rëndë që ka pësuar gjatë stërvitjeve me Chelsea në gusht. Lojtari shqiptar, i cili u transferua tek Everton në ditën e fundit të merkatos, deri më tani nuk ka pasur mundësi të kontribuojë me skuadrën për shkak të këtij dëmtimi.
Doktori amerikan Rajpal Brar, një specialist në fushën e mjekësisë sportive, ka ndarë detaje të rëndësishme për situatën aktuale të Brojës në një intervistë për “Godison News”. Sipas tij, futbollisti nuk do të jetë në gjendje të rikthehet në kohë për të ndihmuar Shqipërinë në ndeshjet e nëntorit në Ligën e Kombeve.
Brar theksoi se plani për rikuperimin e Brojës do të përfshijë një kombinim të progresit në stërvitje, forcë fizike dhe trajtim të dhimbjeve ose problemeve që lidhen me tendinin e Akilit dhe zona të tjera të trupit. Ai shtoi se çelësi për të shmangur komplikacione të papritura është një rikthim gradual dhe metodik në programin e stërvitjes.
“Broja është ende disa javë larg rikthimit në stërvitje të plotë me ekipin. Objektivi i tij aktual është të rikthehet në fushën me bar për punë individuale,” përfundoi doktori.
Dëmtimi i Brojës ka shqetësuar jo vetëm Evertonin, por edhe tifozët e kombëtares shqiptare, të cilët shpresojnë për një rikthim të shpejtë të sulmuesit në formë./UBTNews/