UBT News

Rikthehen “Akordet e Kosovës”, RTK sjell edhe festivalin për fëmijë

Radiotelevizioni i Kosovës dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit kanë nënshkruar marrëveshje të re bashkëpunimi për rikthimin dhe zhvillimin e festivalit tradicional “Akordet e Kosovës”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës shqipe në vend.

Marrëveshja u firmos nga ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu dhe ministrja Saranda Bogujevci, në prani të kryetarit të Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, ushtruesit të detyrës së drejtorit të Televizionit, Rilind Gërvalla dhe këshilltarit të lartë të ministrisë, Muhedin Nushi.

Sipas marrëveshjes, nën ombrellën e “Akordeve të Kosovës” do të organizohet Festivali i Këngës në RTK, ndërsa risi kryesore do të jetë rikthimi i festivalit për fëmijë, i cili për herë të parë do të organizohet nga RTK. Institucionet vlerësuan se ky bashkëpunim do të ndikojë në fuqizimin e skenës muzikore vendore, promovimin e talenteve të reja dhe rritjen e prezencës së Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës.

RTK ka bërë të ditur se synon pjesëmarrjen në “Eurovision Song Contest” dhe “Junior Eurovision Song Contest”, të organizuara nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), duke e konsideruar festivalin si një platformë të rëndësishme për promovimin e artistëve kosovarë. Marrëveshja paraqet vazhdimësi të bashkëpunimit trevjeçar mes RTK-së dhe Ministrisë së Kulturës, ndërsa detajet për datat, formatin dhe aplikimet pritet të publikohen në ditët në vijim.

“Akordet e Kosovës”, i themeluar më 1963 nga Radiotelevizioni i Prishtinës, konsiderohet ndër festivalet më të rëndësishme të muzikës shqipe, duke kontribuar në afirmimin e shumë këngëtarëve dhe kompozitorëve ndër vite.

Në tri edicionet e fundit të Festivalit të Këngës në RTK, fitues kanë qenë La Fazani me këngën “Oj Kosovë”, Endrit Krasniqi me “Flas me gjethen” dhe Arsi Bako me këngën “Rreze zjarri”.

Exit mobile version