Eksportet e naftës bruto nga fushat e Kirkukut të Irakut drejt portit turk të Cejhanit kanë rifilluar përmes tubacionit, njoftoi Kompania e Naftës e Veriut, pasi Bagdadi dhe Qeveria Rajonale e Kurdistanit (KRG) ranë dakord të martën për rikthimin e rrjedhës. KRG-ja e konfirmoi marrëveshjen përmes një deklarate, ku saktësohet se të dyja palët do të formojnë një komitet të përbashkët për të përgatitur rifillimin e eksporteve të naftës dhe se të hyrat do t’i kthehen thesarit federal.
Kompania e Naftës e Veriut shtoi se eksportet e naftës nga Kirkuku do të rilançone me një kapacitet fillestar prej 250,000 fuçish në ditë, ndërsa të dyja palët u pajtuan për ndërmarrjen e masave të nevojshme të sigurisë për mbrojtjen e fushave të naftës.
Çmimet ndërkombëtare të naftës, të cilat u rritën me rreth 30% në mbi 100 dollarë për fuçi që nga fillimi i konfliktit SHBA-Izrael kundër Iranit muajin e kaluar — duke shkaktuar ndërprerje të rënda të furnizimit — ranë me 1.46%, në 101.91 dollarë këtë të mërkurë.
Kryeministri i KRG-së, Masrour Barzani, deklaroi se rajoni do të lejojë eksportet përmes tubacionit të Kurdistanit sa më shpejt të jetë e mundur, duke pasur parasysh rrethanat e jashtëzakonshme me të cilat po përballet vendi. Ai shtoi se diskutimet me Bagdadin do të vazhdojnë për të hequr urgjentisht kufizimet në importe dhe tregti, si dhe për të ofruar garancitë e nevojshme për kompanitë e naftës dhe gazit.
Më vonë, Barzani njoftoi gjithashtu se gjatë një bisede telefonike me të dërguarin e SHBA-së, Tom Barrack, ka udhëzuar ekipin e tij që të ofrojë të gjitha lehtësitë për rifillimin e eksporteve. Ndërkohë, autoritetet kurde të Irakut thanë të dielën se Bagdadi kishte dështuar në adresimin e sfidave ekonomike dhe të sigurisë me të cilat përballet sektori i naftës, derisa ministria irakiane e naftës kishte deklaruar më herët se KRG-ja kishte refuzuar përdorimin e tubacionit si rrugë alternative pas ndërprerjeve nga konflikti me Iranin.
Prodhimi i naftës nga fushat jugore të Irakut, ku prodhohet dhe eksportohet pjesa më e madhe e naftës bruto, kishte rënë me 70% në vetëm 1.3 milion fuçi në ditë sipas burimeve të Reuters, pasi lufta ka bllokuar efektivisht Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës globale. Ministria irakiane e naftës i kishte dërguar një letër KRG-së në fillim të marsit duke kërkuar leje për pompimin e të paktën 100,000 fuçive në ditë përmes rrjetit të tubacioneve të Kurdistanit drejt qendrës energjetike të Cejhanit.
Zyrtarët kurdë thonë se tensionet me Bagdadin u rritën pasi qeveria federale zbatoi një sistem të ri doganor elektronik në fillim të këtij viti për të monitoruar importet dhe të hyrat, hap ky që shihet nga KRG-ja si minim i autonomisë së saj. Të martën, Presidenca e Irakut u bëri thirrje të dyja palëve për bashkëpunim, ndërsa Parlamenti irakian kërkoi gjetjen e rrugëve të reja për naftën bruto për të shmangur dëmet ekonomike nga kushtet aktuale të sigurisë.
