UBT News

Rifillimi i diplomacisë: SHBA dhe Irani drejt bisedimeve të reja në Islamabad

WASHINGTON, DC - MARCH 04: U.S. President Donald Trump addresses a joint session of Congress at the U.S. Capitol on March 04, 2025 in Washington, DC. Vice President JD Vance and Speaker of the House Mike Johnson (R-LA) applaud behind him. Win McNamee/Pool via REUTERS

Pas një fundjave tensionesh të larta dhe dështimit të negociatave të mëparshme, sinjale të reja diplomacie po vijnë nga Islamabadi. Burime për agjencinë e lajmeve Reuters kanë bërë të ditur të martën se ekipet negociuese të SHBA-së dhe Iranit mund të kthehen në kryeqytetin pakistanez këtë fundjavë për të rifilluar bisedimet për përfundimin e luftës.

Ky zhvillim vjen në një moment kritik, pasi dështimi i bisedimeve të fundit e shtyu Uashingtonin të vendoste një bllokadë detare ndaj porteve iraniane. Lajmi për një rikthim të mundshëm në tryezën e bisedimeve ka ndikuar menjëherë në qetësimin e tregjeve globale, duke bërë që çmimi i naftës të zbresë nën 100 dollarë për fuçi.

Bisedimet e së shtunës, të cilat u cilësuan si takimi i nivelit më të lartë mes dy vendeve që nga viti 1979, përfunduan pa asnjë përparim, duke vënë në rrezik mbijetesën e armëpushimit dyjavor që ka edhe shtatë ditë afat. Megjithatë, një ftesë e re u është dërguar delegacioneve për t’u rikthyer në Islamabad, me gjasë mes të premtes dhe të dielës.

Presidenti amerikan, Donald Trump, pohoi se Irani ka shprehur interes për të arritur një marrëveshje, por ai mbetet i prerë në qëndrimin se nuk do të pranojë asnjë pakt që i lejon Teheranit zotërimin e armëve bërthamore.

Situata në terren mbetet e tensionuar që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt. Irani ka mbajtur të mbyllur praktikisht Ngushticën strategjike të Hormuzit, duke lejuar vetëm mjetet e veta lundruese dhe duke kërkuar kontroll e pagesa për të tjerët. Kjo ka goditur rëndë ekonominë botërore, pasi përmes kësaj rruge kalon gati një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz.

Si kundërpërgjigje, ushtria amerikane nisi të hënën bllokadën e porteve iraniane. Nga ana tjetër, Teherani ka kërcënuar me goditje ndaj anijeve luftarake në ngushticë dhe hakmarrje ndaj porteve të vendeve fqinje në Gjirin Persik, duke e bërë suksesin e bisedimeve të ardhshme në Islamabad jetik për stabilitetin rajonal dhe botëror./Reuters/

Exit mobile version