UBT News

Ribotohet monografia “Burrëria dhe Besa”

Në Zagreb të Kroacisë është ribotuar monografia “Burrëria dhe Besa” e autorit nga Mali i Zi, Velibor Çoviq. Ajo trajton fatin e refugjatëve shqiptarë, të cilët, të dëbuar nga Kosova, nga forcat ushtarake, policore e paramilitare të Milosheviqit, gjetën strehim në Mal të Zi.

Botimi i parë i monografisë është mbështetur nga Qeveria e Malit të Zi, ndërsa ribotimi është bërë nga Bashkësia Shqiptare e Qytetit të Zagrebit dhe Prefekturës së Zagrebit, me ndihmën financiare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë nga buxheti për vitin 2023, nëpërmjet Këshillit për Pakica Kombëtare.

Në monografinë e ribotuar janë përfshirë disa rrëfime të reja, përfshirë edhe një intervistë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Gjatë vizitës në Kroaci, Presidentes Osmani iu dorëzua një kopje e monografisë. Në emër të Bashkësisë Shqiptare të Qytetit të Zagrebit dhe Prefekturës së Zagrebit, monografinë ia dorëzoi kryetari Sejfedin Prekazi.

Përveç monografisë “Burrëria dhe Besa”, autori Velibor Çoviq ka realizuar edhe filmin dokumentar “I kisha 10 vjet”, kushtuar po kështu refugjatëve shqiptarë në Mal të Zi, në vitet 1998/1999. Filmi u realizua si bashkëprodhimi i “AA Production” nga Podgorica dhe Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Ditëve të ardhshme, monografia do të promovohet në Prishtinë.

Exit mobile version