Deputetë nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit që vajzave nën moshën 18 vjeçare, të mos u ndalohet shkuarja në shkollë edhe nëse ato mbajnë në kokë shami, apo siç njihet ndryshe si hixhab.
Çështja e shamisë është aktualizuar këtë javë, pasi Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, e ka ftuar për të raportuar për këtë çështje ministren e arsimit, Arbërie Nagavci.
Ligjet dhe vendimet administrative në Kosovë, i lejojnë vajzat myslimane të bartin shami mbi moshën 18 vjeçare, në universitete apo në vende të punës.
Mirëpo, një gjë të tillë ua ndalon vajzave në shkolla fillore dhe të mesme.
Udhëzimi administrativ që ndalon uniformat fetare
Udhëzimi administrativ përcakton të drejtat, veprimet e ndaluara, masat dhe proceduarat disiplinore dhe zbatimin e tyre. Kurse në nenin 3, pikën 1.13, thuhet se në shkollë ndalohet uniforma fetare.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Duda Balje, tha për Radion Evropa e Lirë se komisioni po kërkon nga Ministria e Arsimit që të ndryshojë udhëzimin administrativ, ose të nxjerr një të ri, ku nuk do t’u ndalohet vajzave me mbulesë të shkojnë në shkollë.
“Nga ana e komisionit për të drejtat e njeriut, jemi duke bërë kërkesë për ndryshimin e udhëzimit administrativ, ose për ta nxjerr një udhëzim administrativ të ri, i cili do të specifikojë edhe do t’ju jap të drejtë vajzave të shkojnë në shkollë fillore, të mesme edhe në shkollimin e lartë, që të jenë të lira që të mbajnë shami”, tha Balje.
Balje tha se kjo çështje mund të rregullohet edhe me anë të ligjeve, por siç shprehet ajo, një gjë e tillë mund të rregullohet më shpejt me anë të një urdhërese të re administrative.
“Ne mund ta ndryshojmë edhe ligjin. Jemi gati që t’i shkojmë deri në fund dhe të gjejmë një zgjidhje konkrete”, tha ajo.
Nagavci: Të respektohen të drejtat e njeriut por edhe Kushtetuta
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbёrie Nagavci, tha se ministria është e angazhuar dhe po punon që as një fëmijë të mos jetë jashtë procesit mësimor. Ajo tha se për çështjen e mbulesës në shkolla dhe jo vetëm, duhet të hapet debat dhe të flitet me argumente nga ekspertë të fushave.
“Ne duhet të punojmë bashkë, sepse po flasim për atë që është më e mira për fëmijë. Duhet të sigurohemi që asnjë vajzë të mos na mbetet jashtë bankave shkollore dhe duhet të sigurohemi që askujt, të mos i imponohen gjëra që mund të jenë në konflikt ose të jenë kundër asaj që e përcakton Kushtetuta”, tha Nagavci.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton shtetin si “shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”. Akti më i lartë ligjor i Kosovës, sipas sociologut të religjionit Ismail Hasani, nuk lë hapësirë për paqartësi lidhur me mbajtjen e simboleve fetare nëpër institucione arsimore e publike.
Sipas Hasanit çështja e bartjes së shamive nga vajzat në shkollat e cikliti të ulët, duhet të diskutohet më kujdes të madh.
“Kushtetuta e Kosovës në mënyre decidive e ka qartësuar se cili është pozicioni i shteti karshi fesë. Kosova është shtet multietnik, multikulturor, multifetar, por mbi të gjitha është shtet laik dhe cenimi i këtij elementi është edhe rrezik për kushtetutshmërinë në Kosovë”, tha Hasani.
Hasani theksoi se persona të cilët janë të përkushtuar për fenë, në Kosovë ka edhe institucione arsimore fetare, ku aty mund të marrin mësime.
“Ata që me bindje do të thotë janë përcaktuar që përkatësinë e vet, devotshmërinë e vet ndaj fesë, ndaj përkatësisë së vetë fetare, ta shpërfaqin është mirë që t’i drejtohen shkollave fetare ku mund të plotësojnë dijen e vet, e ku mëshirohen edhe më tepër më besimin”, tha Hasani.
Bashkësia Islame e Kosovës, ndërkaq, disa herë ka bërë thirrje që vajzave të cilat bartin shami, tu lejohet shkollimi në institucionet arsimore publike para universitare.
Ata thonë se bartja e mbulesës apo shamisë është obligim, përkatësisht detyrim fetar, për gjininë femërore.
Shkollat dhe Gjykata Kushtetuese
Në disa shkolla, gjatë viteve të kaluara, por edhe këtë vit, ka pasur raste kur vajzat që bartin shami në kokë, nuk janë lejuar të hyjnë brenda në klasë.
Afrim Lulaj, baba i një vajze nga Gjakova, tha për Radion Evropa e Lirë, se vajza e tij, nuk është lejuar të hyj në shkollë të mesme publike, për shkak të bartjes së shamisë dhe tani siç thotë ai, vajza ka vazhduar mësimin në medrese në Prishtinë.
“E kanë lënë të pres në oborr të shkollës dhe i kanë thënë thirre prindin, e gjëra të tjera. Për regjistrimin e fëmijëve në shkollë të mesme, nuk ka pasur ndonjë rregull të veçantë. Kriter kanë qenë notat dhe mosha, dhe aty nuk ka pasur specifikim me shami apo pa shami. Vajza është regjistruar në shkollë dhe kur ka shkuar me nis mësimin, i kanë thënë se nuk bën me shami”, tha Lulaj.
Lulaj ka thënë se drejtuesit e shollës, duke u thirrur në një udhëzim administrativ që e ka hartuar Ministria e Arsimit në vitin 2014, nuk i kanë lejuar vajzës të vijojë mësimin.
Gjykata Kushtetuese, në një vendim të vitit 2011, kishte hedhur poshtë si të papranueshme një ankesë të 19 vjeçares Arjeta Halimi, pasi i ishte ndaluar të hyj me shami në një shkollë në Viti.
Gjykata kishte thënë se Halimi nuk kishte përdorur të gjitha gjykatat tjera, para se t’i drejtohej Kushtetueses.
Në opinionin e saj, Gjykata ka thënë se Halimi “me refuzimin e heqjes së shamisë së saj, parashtruesja ka tejkaluar kufijtë rreth të drejtës së shprehjes dhe manifestimit të besimeve fetare në objektet shkollore”.
Kushtetuta e përcakton Republikën e Kosovës si shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.
Kurti: “Ne jemi kundër ndalimit të mbajtjes së mbulesës”
Kryeministri aktual i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në deklarimet e tij, gjatë fushatës zgjedhore por edhe nëpër intervista televizive, ka thënë se nuk është në favor të shamisë, por janë kundër ndalimit. Ai ka thënë se çështja e bartjes së shamisë “është çështje e të drejtave elementare njerëzore”.
“Ne jemi kundër ndalimit të mbajtjes së mbulesës”, ka thënë Kurti në një tubim në vitin 2017, ku ka thënë se partia e tij do ta “luftojë islamofobinë”.
“Pra ne nuk do ta pengojmë një vajzë që shkollohet, ose një vajzë që jep mësim në sistemin arsimor, për shkak se në njërën anë është e drejta e mësimit, e në anën tjetër është bindja jonë se është e rëndësishme çka ke në kokë, e jo çka ke mbi kokë”.
Prej kohës kur Kurti është bërë kryeministër, ai nuk ka thënë asgjë se cili do të jetë vendim i qeverisë së tij në lidhje me bartjen ose jo të shamisë në shkolla.
Burimi: Radio Evropa e Lire