Boksieri kosovar Riad Isufi është mposhtur në gjysmëfinale të Kupës Botërore për të Rinj U19 “Adriatik Pearl” nga boksieri serb Filip Stojanovic në kategorinë 55 kilogramë.
Dueli u zhvillua në Budva të Malit të Zi, ku Isufi u ngjit në ring në gjysmëfinale të këtij turneu prestigjioz ndërkombëtar. Pas një përballjeje të fortë, ai nuk arriti të sigurojë fitoren që do ta dërgonte në finale.
Me këtë rezultat, Isufi e përfundon garën me medalje të bronztë, duke shënuar një sukses të rëndësishëm në këtë kompeticion ku konkurrenca ka qenë jashtëzakonisht e fortë.
Turneu “Adriatik Pearl”, që po zhvillohet nga 2 deri më 12 mars në Budva, ka mbledhur boksierë të rinj nga shumë vende të botës, duke e bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare për boksin e të rinjve.
Ndërkohë, në finalen e këtij turneu prestigjioz, Kosova do të përfaqësohet edhe nga gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli, i cili do të jetë pjesë e ndarjes së drejtësisë në duelet finale.
