UBT News

Rezultatet preliminare: VV në krye, opozita me rritje

Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit nuk kanë ndryshuar renditjen e partive politike në Kosovë, por kanë reflektuar lëvizje në përqindjen e mbështetjes së tyre, sipas rezultateve preliminare me mbi 99.40 për qind të votave të numëruara.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë sërish e para me rreth 42.92–43 për qind të votave, duke shënuar rënie prej rreth 6.5 për qind krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Ky rezultat nuk përfshin ende votat e diasporës, ato me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Partia Demokratike e Kosovës ka mbetur në vendin e dytë me 21.06 për qind të votave, duke shënuar një rritje shumë të lehtë prej 0.07 për qind.

Lidhja Demokratike e Kosovës është renditur e treta me 17.61 për qind, duke regjistruar rritjen më të madhe ndër partitë opozitare, rreth 4 për qind më shumë se në zgjedhjet e kaluara.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.18 për qind të votave, duke shënuar rritje prej rreth 1.5 për qind dhe duke kaluar më lehtë pragun zgjedhor krahasuar me procesin e kaluar.

Partia Socialdemokrate nuk e ka kaluar pragun, duke marrë 0.27 për qind të votave.

Sipas të dhënave, pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë dukshëm më e ulët. Në zgjedhjet e 7 qershorit kanë votuar 36.38 për qind e qytetarëve, krahasuar me 44.99 për qind në zgjedhjet e kaluara, që përbën rreth 200 mijë votues më pak.

Votat e diasporës, të cilat llogariten rreth 130 mijë, pritet të numërohen në fazat e ardhshme të procesit zgjedhor.

Ndërkohë, kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur fitoren dhe ka paralajmëruar bashkëpunim me partitë e tjera për formimin e institucioneve, përfshirë çështjen e presidentit. Në fjalimin e tij ai tha se vendi ka nevojë për Kuvend funksional dhe se qeveria mbetet e përkushtuar ndaj interesit publik.

Foto: Driton Paçarada

Exit mobile version