Të gjitha biletat për ndeshjen kualifikuese për Euro 2024 ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, e cila zhvillohet më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, janë shitur brenda pak orëve.
Ky interesim i madh nga tifozët është një shenjë e fortë e përkrahjes së fuqishme ndaj Kombëtares së Kosovës. Mbi 13 mijë tifozë, aq sa është kapaciteti maksimal i stadiumit “Fadil Vokrri” do të jenë të pranishëm në tribuna natën e 9 shtatorit, aty ku për kundërshtar Kosova do t’i ketë edhe yje si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri.
Kosova nuk ka pasur rezultate të mira në ndeshjet e fundit. Ata barazuan me Andorrën e Rumaninë, derisa u mposhtën nga Bjellorusia, por kjo nuk e ndali hovin e madh të tifozëve në mbështetje të lojtarëve.
Kosova është në grupin I të kualifikimeve për Euro 2024, ku renditet në vendin pestë me vetëm tri pikë, duke pasur kështu fare pak gjasa për kualifikim tutje.