Ana Blandiana ka fituar në një ceremoni të transmetuar drejtpërdrejt nga qyteti veriperëndimor spanjoll i Oviedos. Në përzgjedhjen e saj si fituese, juria e Asturias vuri në pah “poezinë e paepur” të Blandianës, me të cilën ajo ka treguar një “aftësi të jashtëzakonshme për rezistencë përballë censurës”.
Çmimi vjetor i Fondacionit Princesha e Asturias vlerëson “veprën e kultivimit dhe përsosjes së krijimtarisë letrare në të gjitha gjinitë e saj”. Presidenti i jurisë, Santiago Muñoz, deklaroi se Blandiana u zgjodh si “një krijues radikalisht i veçantë“, shkrimi i së cilës “kombinon transparencën dhe kompleksitetin, ngre pyetje themelore për ekzistencën e qenieve njerëzore në vetmi dhe shoqërinë përballë natyrës dhe historisë”.
Blandiana, sipas jurisë, “ka treguar me poezinë e saj të paepur një kapacitet të jashtëzakonshëm rezistence përballë censurës”.
E lindur në Timisoara në vitin 1942, Blandiana njihet edhe për aktivizmin e saj politik. Pas Revolucionit të vitit 1989 në Rumani, ajo themeloi një fushatë që promovonte eliminimin e trashëgimisë komuniste të vendit dhe loboi për krijimin e një shoqërie të hapur. Ajo është një anëtare themeluese dhe presidente e Fondacionit të Aleancës Qytetare që nga viti 1994, një lëvizje apolitike që kundërshton ndikimin e 50 viteve të komunizmit në Rumani.
Libri i saj i parë me poezi u botua në vitin 1964 dhe ajo u bë një poete e njohur në të njëjtën dekadë me veprat “Thembra e pambrojtur” dhe “Sakramenti i tretë”. Që atëherë, Blandiana ka zhvilluar statusin e kultit në Evropë dhe vepra e saj është përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë.
Çmimi i Princeshës së Asturias i bën jehonë konsensusit të gjerë të kritikëve, të cilët theksuan se autorja, eseiste dhe politikane, mishëron “ndërgjegjen dhe dëshminë e kohës së saj, kundërshtimin emblematik ndaj regjimit dhe luftën kundër censurës”, ndërsa ofron “një reflektim mbi krijimin artistik dhe gjendjen njerëzore”.
Fituesit e mëparshëm përfshijnë Haruki Murakami, Philip Roth, Anne Carson, Leonardo Padura dhe Antonio Muñoz Molina, ndër të tjera. Gjithsej 38 kandidatë nga 21 kombësi konkurruan për çmimin prestigjioz në edicionin e këtij viti. Duke komentuar fitoren e saj, Blandiana tha: “Është e vështirë për mua të shpreh emocionin dhe mirënjohjen time për nderin e madh që përfaqëson për mua Çmimi i Princeshës së Asturias”. Ajo shtoi: “Faleminderit për jehonën që çmimi juaj prestigjioz do t’u japë ideve dhe poezive të mia dhe që do t’i amplifikojë ato në ndërgjegjen e lexuesve spanjollë në mbarë botën”.
Çmimi i Letërsisë të Fondacionit Princesha e Asturias është një nga çmimet më prestigjioze në botën letrare, i cili nderon individët ose organizatat që kanë dhënë një kontribut të shquar në kulturën dhe shoqërinë përmes letërsisë. Ky çmim është një nga tetë çmimet e ndara çdo vit nga Fondacioni Princesha e Asturias në fushat e komunikimit dhe humaniteteve, artit, shkencave sociale, sportit, kërkimit shkencor dhe teknik, bashkëpunimit ndërkombëtar, dhe pajtimit.
Fondacioni Princesha e Asturias, i themeluar në vitin 1980, ka për qëllim promovimin dhe inkurajimin e vlerave shkencore, kulturore dhe humanitare që janë pjesë e trashëgimisë universale. Çmimet e tij janë ndër njohjet më të rëndësishme në botë, dhe ceremonia e ndarjes së tyre mbahet çdo vit në Oviedo, Spanjë, duke tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar. /UBTNews/
Përktheu nga Euronews, Dionesa Ebibi