UBT News

Del në ankand rezidenca verore e Benito Musolinit në Rimini

Rezidenca verore e ish-diktatorit italian Benito Musolini, e njohur si “Villa Mussolini”, që ndodhet pranë qytetit Rimini në bregdetin e Adriatikut, do të dalë në ankand, raportojnë mediat italiane.

Pronari aktual ka vendosur ta nxjerrë vilën në shitje, ndërsa ofertat mund të paraqiten deri më 22 dhjetor.

Bashkia e Rixhonës ka shfaqur interes për të blerë pronën, që është përdorur falas për aktivitete kulturore dhe ekspozita, me leje nga pronarët e mëparshëm.

Bashkia synon ta blejë përfundimisht dhe të kryejë restaurime në ndërtesë.

Vila, e ndërtuar rreth vitit 1890, përfaqëson stilin tipik të shtëpive të pushimit në bregdetin e Adriatikut. Pronësia e saj ka ndryshuar disa herë, derisa në vitin 1934, Rakele Musolini, bashkëshortja e diktatorit, e bleu dhe e shndërroi në rezidencë verore të familjes.

Pas ekzekutimit të Musolinit nga partizanët italianë në 1945 dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, vila kaloi në pronësi të shtetit.

Edhe pse emri i pronës ka qenë shkak debatesh dhe polemikash, bashkia e Rixhonës ka vendosur të ruajë emrin historik “Villa Mussolini”. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version