Janë bërë 27 vjet nga masakra e Rezallës në Skenderaj, ku më 5 prill 1999 forcat ushtarake dhe policore serbe vranë 98 civilë shqiptarë, banorë të këtij fshati dhe zonave përreth. Nga viktimat, 44 prej tyre u zhdukën me forcë, ndërsa më vonë një pjesë e trupave u gjetën në varreza masive në Rudnicë të Rashkës dhe iu kthyen familjarëve.
Sipas dëshmive, në ditën e masakrës, burrat dhe djemtë – nga mosha 13 deri në 90 vjeç – u nxorën dhunshëm nga shtëpitë e tyre, u ndanë nga familjet dhe më pas u ekzekutuan. Nga kjo ngjarje tragjike, vetëm tre persona arritën të mbijetojnë. Masakra e Rezallës konsiderohet ndër më të rëndat gjatë luftës në Kosovë.
Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje, homazhe në Rezallë kanë bërë ushtruesja e detyrës së Presidentes dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, së bashku me ministrin Andin Hoti. Haxhiu deklaroi se në këtë zonë ishte zbatuar një plan i organizuar shfarosjeje nga regjimi serb, duke theksuar se pas vrasjeve, trupat e viktimave u zhvendosën në varre masive në Serbi për të fshehur gjurmët e krimit.
Ajo shtoi se, pavarësisht përpjekjeve për fshehje, krimet nuk do të harrohen kurrë dhe do të mbeten pjesë e kujtesës kolektive. Haxhiu gjithashtu theksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin për të siguruar drejtësi për viktimat e kësaj dhe masakrave të tjera të kryera gjatë luftës.
