UBT News

Rexhbeçaj në dyshim për ndeshjet e Kosovës në Ligën e Kombeve

Elvis Rexhbeçaj mund të jetë një mungesë e rëndësishme për Përfaqësuesen e Kosovës në ndeshjet e para të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.

Kosova këtë muaj do t’i zhvillojë ndeshjet e para në Ligën B të Ligës së Kombeve të UEFA-s, që përfaqëson nivelin e dytë të kësaj gare.

“Dardanët” më 24 shtator do ta presin Irlandën, ndërsa vetëm tri ditë më vonë do të udhëtojnë drejt Austrisë për ndeshjen e radhës.

Në dyshim për këto përballje është mesfushori Elvis Rexhbeçaj. Futbollisti i Wolfsburgut po përballet me një lëndim në këmbë, ndërsa mediumet gjermane kanë ngritur shqetësime se ai mund të qëndrojë jashtë fushës për një periudhë më të gjatë.

Sipas raportimit të “Liga-Zwei”, gjendja e Rexhbeçajt ende nuk është sqaruar plotësisht. Për të përcaktuar kohëzgjatjen e mungesës së tij priten edhe vlerësime të tjera mjekësore.

Megjithatë, deri tani nuk ka konfirmim se mesfushori do të mungojë në ndeshjet e Kosovës. Gjithçka do të varet nga gjendja e tij fizike dhe koha e nevojshme për rikuperim.

Rexhbeçaj mungoi të shtunën në ndeshjen e Wolfsburgut ndaj St. Paulit, duke mos qenë në dispozicion për skuadrën gjermane.

28-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 403 minuta në të gjitha garat, ndërsa aktivizohet kryesisht si mesfushor me tipare defensive.

Rexhbeçaj u rikthye te Wolfsburgu në muajin korrik si lojtar i lirë, pasi i kishte skaduar kontrata me Augsburgun.

Wolfsburgu këtë edicion garon në kategorinë e dytë të futbollit gjerman, ndërsa Rexhbeçaj është një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës.

D.L

Exit mobile version